E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, në zyrën e Ina Ramës për paktin e OPGJ-së

Pika më e “nxehtë” e diskutimeve, varësia e oficerëve të policisë gjyqësore të akuzës
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është rikthyer dje në Prokurorinë e Përgjithshme pas 14 muajsh. Hera e fundit, që kishte shkelur tapetin e gjelbër të akuzës qendrore, datonte në muajin dhjetor të vitit 2008, kohë në të cilën është thirrur me detyrim të jepte shpjegime dhe më pas u mor i pandehur për abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Transporteve. Ndryshe nga vizita e fundit, Basha është pritur dje nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, me të cilën ka diskutuar në takimin 60 minutësh për projektligjin e ri të përgatitur për policinë gjyqësore, si dhe për modalitetet e tij, ndërsa në takim nuk ka qenë i pranishëm kreu i njësive antikorrupsion në Shqipëri, Arben Kraja, i cili drejtoi hetimet për të ashtuquajturën dosja “Durrës-Kukës”. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se pika e veçantë e kësaj bisede ka qenë pikërisht ligji për OPGJ-të, pasi prokuroria e policia kishin disa kundërshtime të draftit që po hartohet në Ministrinë e Brendshme.
Diskutimet
Pika më e “nxehtë” që është diskutuar nga palët dje ka qenë tema për varësinë e hetuesve, që janë në marrëdhënie pune me organin e akuzës. Drafti që po hartohet në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë parashikon që këta hetues të kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa organi i akuzës mendon se këta hetues duhet të jenë pjesë e prokurorisë, pasi ikja e tyre dëmton procedimet penale. Burime nga takimi i zhvilluar dje midis Ina Ramës e Lulzim Bashës, nën prezencën e prokurorëve Sokol Stojani e Arben Dollapi dhe në prezencën e zëvendësministrit të Brendshëm, Evenir Peka, drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe drejtorit të krimit të organizuar Agron Kuliçaj, thanë se është rënë dakord që të ngrihet një grup pune nga ministria e prokuroria për të përcaktuar çdo detaj që do të parashikohet në projektligjin për OPGJ-të. Prokurorët kanë pranuar kushtin që dosjet penale me vendngjarje të hetohen nga hetuesit e policisë, ndërsa dosjet penale me kallëzim të hetohen nga hetuesit e prokurorisë. “Nëse do të shkrihen OPGJ-të në prokurori, atëherë do të kemi një kaos për hetimin e veprave penale me kallëzim. Qindra dosje penale me kallëzime nga institucionet publike nuk mund t’i kalojnë një strukture të re, pasi do të kishim një zvarritje të hetimeve”, deklarojnë burimet nga akuza, të cilat shprehen se këto mendime u janë servirur përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për të verifikuar problematikën që do të krijohej.
Grupi punës
Pas një bisede prej 60 minutash, krerët më të lartë të prokurorisë dhe të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit, kanë rënë dakord për ngritjen e një grupi pune me ekspertë për të përgatitur raporte që do të serviren më pas në Ministrinë e Drejtësisë. “Në fund të takimit ramë dakord që ekspertët më të mirë të fushës të prokurorisë e policisë të diskutojnë të gjitha modalitetet e nevojshme për projektligjin e ri të policisë gjyqësore”, thanë burimet nga akuza qendrore, të cilat shtojnë se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të marrë mendimet e disa drejtuesve të prokurorive të rretheve, për t’i paraqitur më pas në formën e një raporti pranë Ministrisë së Drejtësisë. “Drejtuesit e prokurorive të rretheve, por edhe prokurorë me përvojë në sistemin e akuzës, do të pyeten për këtë projektligj në lidhje me statusin e oficerëve të policisë gjyqësore. Më pas, mendimet e tyre, të përmbledhura në formën e një raporti, duke u ballafaquar me pretendimet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, nga mendimet e para, prokurorët kanë shfaqur dyzim në lidhje me varësinë që mund të kenë oficerët e policisë gjyqësore. Disa mendojnë se dosjet duhet të hetohen nga prokurori dhe të tjerë mendojnë se oficerët e policisë gjyqësore duhet të plotësojnë një dosje apo procedim penal me të gjitha elementet. Roli i prokurorit, mendojnë diskutuesit, është udhëheqës dhe përfaqëson akuzën në gjykatë, ndërsa është oficeri i policisë gjyqësore që kryeson hetimet. Megjithatë, e vetmja pikë që prokurorët bien dakord, është se hetuesit që janë në marrëdhënie pune me prokurorinë duhet të mos ndryshojnë varësi, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte punën e deritanishme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›