E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Siguri e plotë për shqiptarët natën e ndërrimit të viteve

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka garantuar të gjithë shqiptarët se festën e Vitit të Ri do ta kalojnë në siguri të plotë. Në një inspektim të tij në sallën operative të Tiranës lidhur me masat e marra nga policia e qarkut të Tiranës si dhe drejtoria e Përgjithshme e policisë, Nishani në emër të tyre dhe të gjithë dretorive të komisariateve deklaroi se policia do të jetë në gadishmëri të plotë në natën e ndërrimit të viteve dhe në vazhdim.
 

“ Përgëzoj të gjitha drejtoritë policore për masat e marra për festën e Vitit të Ri. Garantoj dhe në emer të këtyre strukturave që gjatë kohës që shqiptarët do të festojnë në familjet e tyre, policia do jetë në gadishmëri për garantimin e sigurisë së plotë”.
 

Nga ana tjetër drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj tha se janë marrë masat në gjithë Shqipërinë për kalimin e një situate të qetë. Ndërsa ka theksuar se gjatë këtij viti krahasuar me vitin tjetër nuk ka pasur avari fishekzjarresh, apo kaos qarkullimi falë masave të marra nga forcat policore.
 

Masa të forta sigurie ka premtuar dhe drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Sajmir Muça, për kryeqytetin duke qenë se dhe dyndja e popullsisë eshtë më e madhe.
 

“Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për festat e fundvitit. Sallat po punojnë me kapacitet të plotë. Kemi dyfishuar shërbimet në spitale si dhe kemi shtuar forcat policore në patrulla. Garantojmë qytetarët që policia do të jetë në gadishmëri të plotë gjatë natës së ndërrimit të viteve”-tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›