Nishani: Situata nën kontroll, sfidë hapja e rrugëve fshatra-qendra komunash

“Nuk ka më probleme qarkullimi në akset kryesore si dhe në qendrat e komunave”. Ky lajm është konfirmuar nga ministri i Brendshëm, njëherësh dhe kryetar i Shtabit Ministror të Emergjencave Civile, Bujar Nishani në daljen e tij për shtyp ku bëri një panoramë të punës dhe operacioneve të realizuara deri mbrëmjen e sotme. Sipas Nishanit në të katër qarqet e bllokuara tashmë prioritet mbetet hapja e rrugëve që lidhin fshatrat me komunat, ndërsa ka theksuar se janë realizuar disa operacione transporti emergjencash shëndetësore ashtu dhe furnizimi me ushqime.
“Sot është vijuar me itensitet të lartë pune në të katër qarqet. Në shkodër është bërë i mundur hapja e të gjithë akseve nacionale si Shkodër-Pukë, Pukë- Fushë Arrëz, vëmendja është përqëndruar dhe në hapjen e komunave si Qafë e Malit, janë hapur 8km drejt Iballes, është punuar për hapjen e komunës Qelëz dhe vijon puna me mjetet e ushtrisë. Në Dugagjin është hapur rruga deri në Prekal, nesër pritet të hapet deri në Kir. Sa i takon operacioneve në ndihmë të shëndetit , sot është bërë e mundur ndërhyrja e helikopterëve për transportin e një të sëmuri si dhe dy operacione për furnizim ushqimesh.
Në qarkun e Kukësit, rruga e kombit është e hapur, ka vazhduar puna në Shën Mëri deri në Qafë Shllak, është hapur rruga deri në Bushtricë ndërsa vijon puna drejt Peshkopisë. Kukës- Krumë- Qafë Prush është e kalueshme me zinxhirë, janë hapur komunat Golaj, Fajzë.Në Tropojë janë hapur akset Qafë Morin- B.Curr dhe B.Curr-Fierzë si dhe janë hapur komunat Bujan, Margegaj, Tropojë e Vjetër. Sa i përket ndihmës shëndetësore është transportuar një grua shtatëzënë nga Arrë e Kukësit, si dhe dy të sëmurë të tjerë.
Në qarkun Dibër, të gjitha akset janë të kalueshme, është hapur rruga Peshkopi deri në Arras, vijon puna drejt Zall Recit, është bërë e mundur hapja e Urës së Çerenecit me objektiv drejt Kalasë së Dodës. Në Bulqizë mbeten të bllokuara vetëm dy komuna. Ka pasur operacione shëndetësore ku janë transportuar një fëmijë, një grua shtatëzënë, një grua tjetër në gjendje të rëndë shëndetësore, një pacient dhe një grua shtatëzënë. Në qarkun e Korcës nuk ka asnjë qendër komune të bllokuar. Sfidë mbetet lidhja e rrugëve të fshatrave me ato të komunave. Në katër orët e ardhshme shpresojmë se do të bëhet hapja e komunës Dardhë”-tha Nishani.
Më tej ai sqaroi se ka pasur një vijimësi të ngjeshur aksionesh me objektiv kryesor hapjen e qendrave të komunave dhe ofrimin e asistencës shëndetësore në këto zona.