Nishani-Wollfarth: Klimë bashkëpunuese për të çuar përpara reformën zgjedhore dhe atë parlamentare

Presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth. Duke falenderuar ambasadorin Wollfarth për mesazhin e tij inkurajues pas zgjedhjes si President i Republikës, Nishani solli në vëmendje bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh të mëparshëm me OSBE kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme.
“Suksesi i bashkëpunimit tonë ka qenë i bazuar së pari në përcaktimin e prioriteteve për reformat që duhet të ndërmerreshin dhe së dyti në vendosjen e bashkëpunimit në terma konkretë. Bashkëpunimi ynë ka sjellë rezultate dhe përfitime konkrete. Besoj fuqimisht se do të kemi të njëjtin nivel bashkëpunimi me OSBE edhe gjatë mandatit tim si President i Republikës”- u shpreh Presidenti, Bujar Nishani.
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri z. Ëollfarth shprehu edhe njëherë përgëzimet për zgjedhjen e z. Nishani në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës, si dhe besimin se bashkëpunimi i mëparshëm me institucionet e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme nën drejtimin e Nishanit përbën një bazë të shkëlqyer për të vijuar me sukses bashkëpunimin edhe me institucionin e Presidentit të Republikës.
Nishani dhe Ëollfarth shprehën angazhimin për të punuar së bashku për krijimin e një mjedisi dhe klime bashkëpunuese mes të gjithë forcave politike në vend për të çuar përpara dhe konkretizuar përpjekjet për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, e po kështu edhe diskutimet për kufizimin e imuniteteve të deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë, si dhe kryerjen e reformave në fushën e drejtësisë ku do të jetë i domosdoshëm kontributi i drejtpërdrejtë i komunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani priti gjithashtu në takim Ambasadorin e Brazilit z. Ruda G. Seferin. Ambasadori Seferin i dorëzoi Presidentit Nishani një mesazh urimi me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë, nga Presidentja e Republikës Federative të Brazilit Znj. Dilma Rousseff.