E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani dhe Berisha takojne zv/kryeministrin e Maqedonise

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri Xhaferri shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet mbarëshqiptare në rajon dhe të ardhmen e tyre evropiane.
Presidenti vlerësoi kontributin e shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe stabilitetin e Maqedonisë duke cilësuar në veçanti zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një moment të rëndësishëm që garanton standardet demokratike evropiane dhe bashkëjetesën etnike në harmoni.
Ai gjithashtu ritheksoi se shqiptarët në rajon janë faktori më i rëndësishëm për stabilitetin e tij, sepse ata ndikojnë pozitivisht në zhvillimet pozitive të shteteve ku jetojnë, me synim integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Xhaferri u shpreh se ndan të njëjtat mendime me Presidentin Nishani duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit është historike pasi të dyja palët kanë rënë dakord që të jetojnë së bashku, me kusht që të jenë të barabarta, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë lëshime në zbatimin e plotë të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe se ndryshimi i kufijve do të destabilizonte të gjithë rajonin.

Berisha takon zv/kryeministrin e Maqedonisë Musa Xhaferri
Po sot Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferri u prit në një takim nga kryeministri Berisha. Ky i fundit theksoi intensifikimin e përpjekjeve për njësimin e çdo standardi që të krijojmë një bote shqiptare të njëhsuar, duke respektuar kufijtë aktualë, pasi ky është interesi i shqiptarëve sot. Shqiptarët, kudo ku jetojnë, duhet të ndjehen një, u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst u fol edhe për nevojën e një marrëveshjeje të bashkëpunimit kulturor midis të dy vendeve. Kryeministri Berisha dhe zoti Xhaferri, ndërsa u ndalën në një tjetër ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin shqiptar, 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit, u angazhuan për të ndërmarrë përpjekje të përbashkëta për rikonstruksionin e godinës, ku u mbajt kongresi i Manastirit, si një ndër monumentet më të rëndësishme të të gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›