E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau për gjak 20-vjeçarin, lihet në burg Lazër Lisi

SHKODER- Gjykata e Shkallës së Parë e Shkodrës dje vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Lazër Lisit, i cili të enjten që shkoi vrau për gjakmarrje fqinjin e tij 20- vjeçar, Gjin Guri, dhe plagosi rëndë vëllain e këtij të fundit, Xhevahir Guri.

Pas paraqitjes së provave materiale nga prokurori i çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Arben Zefi, vendosi lënien në burg të 21-vjeçarit Lisi. Sipas organit të akuzës, gjurmët e gjetura në kallashnikov, si dhe dëshmia e dhënë nga vëllai i viktimës janë provat që fajësojnë të pandehurin Lisi. 

Por, ky i fundit e ka mohuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje në polici dhe prokurori. Ndërsa në Gjykatë, Lazër Lisi nuk është shprehur në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë. Ndërkaq, avokati Isuf Lita e ka vlerësuar jo të ligjshëm arrestimin e klientit të tij. Ai është shprehur se nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Lisi qëlloi mbi dy vëllezërit. Ngjarja, ku mbeti i vrarë Gjin Guri dhe u plagos Xhevahir Guri, ndodhi në fshatin Bardhaj të Shkodrës, për gjakmarrje. 

Në vitin 2008, kushëriri i viktimave (djali i xhaxhait) vrau për motive të dobëta Nard Lisin, vëllain e autorit të ngjarjes.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›