Kagawa s’e kupton Fergusonin

Ai mund të jetë i vogël dhe i lehtë, por Shinji Kagawa insiston se krahët e tij mund të përballojnë barrën e përgjegjësisë në mesfushën e Manchester Unitedit. Përforcimi i ardhur këtë verë nga Borussia Dortmund për 12 milionë funte është pritur me gëzim nga tifozët e gjigantit nga Old Trafford dhe ka ndarë përshtypjet e tij të para për jetën në Premierligë.
Ndër shumë të tjera, ylli japonez ka treguar se nuk e kupton asnjë fjalë që thotë menaxheri Sir Alex Ferguson, derisa synon të mësojë gjuhën angleze. Erdhi nga një ligë tjetër dhe pa dyshim se do t’i nevojitet kohë para se të adaptohet plotësisht. Këtë e pranon edhe vetë futbollisti.
“Nuk mund të kuptoj asnjë fjalë që thotë menaxheri. Mundohem të mësoj gjuhën angleze, por mund të më nevojitet kohë më e gjatë për të kuptuar fjalët e menaxherit”, deklaroi Kagawa gjatë një interviste për të përditshmen britanike Daily Mail.
23 vjeçari bëri debutimin e tij në Old Trafford kundër Fulhamit të shtunën dhe shënoi golin e tij të parë për klubin në fitoren 3-2. Edhe pse ai thotë se shënimi i tij nuk mund të krahasohet me atë të përforcimit tjetër Robin van Persie, ai thekson se ai nuk ishte gol i tij tipik.
“I imi nuk ishte në rang me atë të Van Persiet, por u ndjeva shumë mirë. Nuk mund të humbisja nga ajo afërsi. Ky ishte gol i shënuar në mënyrë të pazakonshme për mua dhe shpresoj që herën tjetër t’u tregoj tifozëve të Unitedit se mund të realizoj edhe nga largësia. Loja ime nuk është vetëm për të shënuar gola, më pëlqen edhe të krijoj. U dëshpërova kur pash se flamuri ishte ngritur kur isha i përfshirë në lëvizjen që u përcoll me golin e Rafaelit, që u anulua për pozitë jashtë loje”, theksoi ai.
Kagawa po ashtu është shprehur se niveli fizik i Premierligës është gjëja e parë që ka vërejtur pas transferimit në United dhe pranon se duhet t’i përshtatet asaj, por beson se mund ta ndihmojë ekipin në paraqitje më të mira sulmuese përderisa mbështeten tek ai.
“Ana fizike e Premierligës është gjëja e parë që kam vërejtur. Më duhet t’i përshtatem. Tjetra ishte kualiteti mes ligës. Në Gjermani, ekipet kryesore ishin shumë më të mira se të tjerat, por këtu çdo kundërshtar është i vështirë. Ne duket se luajmë shumë nga krahët, por dua që bashkëlojtarët e mi të më japin topin nga të gjitha anët. Më duhet të flas me ta rreth kësaj sepse dua që ata të kem besim në mua”, përfundoi Kagawa.