Apeli i Vlorës vendos rihetimin e tragjedisë së 9 janarit
VLORË- Gjykata e Apelit të Vlorës vendosi dje për rihapjen hetimeve për tragjedinë e rëndë të 9 janarit të vitit 2004. Apeli i Vlorës kthen në këtë mënyrë vendimin e Prokurorisë pas kërkesës së të afërmëve të viktimave të cilët kanë pretenduar se hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje nuk janë zhvilluar të plota.
Vendimi
“Gjykata e Apelit nga shqyrtimi i akteve konstaton që vendimi i organit të akuzës për ndryshimin e çështjes penale me arsyen se fakti është evident dhe ekziston. Gjithashtu Gjykata e Apelit çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për zbardhjen e kësaj çështjeje”, - u shpreh Apeli i Vlorës. Rihetimi i dosjes “9 janari” përcakton marrjen në pyetje të zyrtarëve të lartë për tragjedinë në ujërat detare të Gadishullit të Karaburunit në Vlorë ku humbën jetën 28 persona, si dhe identifikimi se ku është zhdukur gomonia e dytë me trupat e pajetë të 8 personave. Një ndër familjarët e viktimave shprehet se, “lidhur me vendimin që mori Gjykata e Apelit sot, mendoj se ishte një vendim i duhur dhe i drejtë, por shumë i vonuar. Ne i kemi dhënë me emra të gjithë personat që mendojmë se duhet të pyeten, por që nuk janë pyetur akoma”. Ndërkohë një tjetër familjar shton se, “kjo drejtësi për ne është shumë e vonuar, kemi dyshuar që në fillim që është tentuar për të fshehur faktet. Ne kemi besim pasi u hap një dritë jeshile. Ne kemi kërkuar që kjo çështje të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda”.
Greva
Kjo situatë hodhi në grevë urie që prej 25 shkurtit disa nga familjarët e viktimave të 9 janarit, ku pati reagime edhe nga deputetët demokratë të Shkodrës. Po dje, pak para shprehjes së Gjykatës së Apelit Vlorë, ish-ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Pandeli Majko, i është drejtuat prokurores së Përgjithshme Ina Rama, ku i kërkonte rihapjen e hetimeve për të verifikuar çdo aludim lidhur me personin e tij. Sipas të dhënave, nga Gjykata e Rrethit Vlorë ka pasur dhjetë të dënuar nga të cilët gjashtë janë dënuar me 25 vite heqje lirie dhe për 5 prej tyre vendimi është dhënë në mungesë. Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2004, 28 persona u nisën me një gomone për në Itali, por gjetën vdekjen në Karaburun, duke hapur plagë të thella në familjet që humbën të dashurit e tyre. Familjarë të tragjedisë së 9 janarit kërkojnë të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje. Ata i bëjnë apel shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të dalë e vërteta për tragjedinë e rëndë. Tragjedia ka shënuar 28 viktima, trupat e 8 prej të cilëve nuk janë gjetur.
18 Mars 2009