Nishani mbështet zgjidhjen e çështjes çame

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka shprehur mbështetjen e tij për zgjidhjen e çështjes çame në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, duke u bazuar në instrumentet ndërkombëtarë përkatës.
Gjatë takimit të sotëm me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe përfaqësuesve të shoqatës Çamëria, ku u njoh në detaje me rezolutën çame, Nishani garantoi angazhimin e tij të plotë institucional në mbështetje të kësaj çështje.
Kreu i PDIU-së në paraqitjen e tij u shpreh se kjo rezolutë përbën një bazë solide për zgjidhjen e çështjes çame dhe kërkesave të komunitetit çam në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë dhe në Traktatin e Miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Idrizi shprehu bindjen se kjo rezolutë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Nishani u shpreh se 100-vjetori i pavarësisë shërbeu jo vetëm si një moment festimi për mbarë kombin shqiptar, por mbi të gjitha si një moment reflektimi ndaj çështjes madhore kombëtare, transmeton Panorama komunikatën e Presidencës shqiptare.
“Tashmë, ky moment kulmor në historinë e shtet-formimit shqiptar që lamë pas, i shërbeu të gjitha grupimeve në vend për të përcaktuar më mirë rrugën që duhet ndjekur në funksion të çështjes kombëtare. Kjo do të arrihet duke mos harruar të kaluarën, duke e kujtuar atë, por duke parë drejt objektivave të së ardhmes”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar./Indeksonline/