Rusi, ligji kundër komunitetit LGBT

Parlamenti i Rusisë mbështeti një projektligj kontradiktor, i cili shpall të jashtëligjshëm çdo formë të promovimit të homoseksualitetit, ndërsa disa qindra anëtarë të komunitetit LBGT u përleshën me policinë jashtë Parlamentit.
Policia arrestoi disa anëtarë të këtij komuniteti, të cilët u përpoqën të kundërpërgjigjeshin me një protestë puthjesh masive përpara Parlamentit, për të promovuar të drejtat e tyre.
Sipas mbështetëses të së drejtave të njeriut, Ludmilla Aleksejeva, qëllimi i vërtetë i këtij ligji është “kufizimi i të drejtave të minoriteteve seksuale dhe diskriminimi ligjor i tyre”.
Pas aprovimit në parlament, projektligji duhet të përballet me votimin në Dhomën e Lartë dhe të dekretohet nga presidentit Putin, përpara se të publikohet në fletoren zyrtare dhe të hyjë në zbatim, transmeton TCH.
Në bazë të ligjit, të gjithë aktivitetet që promovojnë ose mbështesin aktivitetet homoseksuale në të gjithë Rusinë do të ndalohen, ndërsa organizatorët do të gjobiten. Shkrimet në mbështetje të këtij komuniteti gjithashtu do të ndalohen.
Një vit më parë, në mungesë të një legjislacioni të qartë mbi këtë çështje, gjykata e Moskës vendosi një pezullim të shumëkritikuar 100-vjeçar mbi paradat e homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transseksualëve, me argumentin se ato “cenojnë rendin publik”.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka gjobitur disa herë Moskën zyrtare për moslejimin e mbajtjes së këtyre aktiviteteve.
Homoseksualizmi konsiderohet një vepër penale dhe dënohej me burgim në Rusi deri në vitin 1993./Indeksonline/