E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schulz: Do të kemi “Shtetet e Bashkuara të Evropës”

Kryetari i parlamentit evropian, gjermani Martin Schulz sot e kritikoi ashpër kryeministrin britanik, David Cameron, për shkak të qëllimit të tij për të organizuar referendum, dhe u angazhua për transformimin e Unionit Evropian në një supershtet mbinacional.

Në një konferencë për gazetarë në Strasburg, Schulz tha se ideja e Cameronit është e rrezikshme dhe se do të hapte “kutinë e Pandorës”.

Sipas tij, euroskeptikët tashmë po e festojnë fjalimin e Cameronit si triumf të ideve të tyre

Në anën tjetër, ai shtoi se shumë kritika të Cameronit janë të arsyeshme, transmeton koha.

“Duhet të punojmë më shumë”, tha ai, për të shtuar se të metat kryesore të BE-së janë deficiti demokratik, pabarazia sociale dhe jotransparenca e institucioneve.

Sipas tij, “asnjë nga vendet e BE-së e ndarë nuk do të mund të kapej me sfidat siç janë ndryshimet klimatike, migrimet dhe kriza ekonomike si dhe që zgjidhja e këtyre problemeve është thellimi i integrimeve evropiane.

“Do të kemi një ditë Shtetet e Bashkuara të Evropës”, tha kryeparlamentari evropian, duke shtuar se krijimi i një strukture të tillë është “e mundshme dhe e domosdoshme”.

Mirëpo, theksoi si, një supershtet i tillë nuk do të jetë “mbështetje për shkrirjen e identiteteve nacionale”.

“Nuk do t’i shndërrojmë gjermanët në teksasianë, as Francën në Kaliforni”, premtoi Schulz, duke shtuar se laramania e identiteteve evropiane është një nga përparësitë më të mëdha të BE-së./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›