Nishani në OKB: Konsolidim i sundimit të ligjit, parim udhëheqës

Presidenti Bujar Nishani thotë se konsolidimi i sundimit të ligjit në Shqipëri është shndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Nishani tha se Shqipëria mbështet luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës që nga Siria deri në Mianmar.
"Është pikërisht parimi i Shtetit të së Drejtës ai me të cilin ne kemi përafruar dhe përputhur të gjitha deklaratat tona kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, konventat dhe rregulloret tona si dhe vetë funksionimin e këtij organizmi madhështor. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.Sundimet e ligjit në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar janë të ndërlidhura ngushtësisht më njëri-tjetrin. Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t`i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë"tha ai.
Ndërkohë sa i përket bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit në respekt të shtetit të së drejtës, Nishani hodhi kritika edhe mbi qeverisjen serbe. Sipas tij edhe Beogradi duhet të ketë parasysh vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Duke iu referuar rajonit të Ballkanit, i cili ka përjetuar luftërat më të tmerrshme presidenti Nishani theksoi se mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioritetit të tyre mbi popujt e tjerë, duke legjitimuar genocidet dhe masakrat që pasuan.
"Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit. Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocidive natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi. Vërehet me shqetësim se në Ballkan, në vend të kërkesave faljesh të sinqerta për masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar, ne na serviren deklarata mohuese dhe mbi të gjitha, deklarata të bëra nga nivelet më të larta"- shtoi Nishani, i cili apeloi për respektim të shtetit të së drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Gjithashtu Presidenti Nishani e vuri theksin edhe tek roli konstruktiv i Shqipërisë dhe bashkëpunimi me të gjithë vendet e rajonit.
Në fund të fjalës së tij Kreu i shtetit shqiptar ritheksoi see Shqipëria është e përkushtuar ndaj synimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndaj Ligjit dhe Rregullit Ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës si vlera jetësore për promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe të marrëdhënieve tona të bashkëpunimit në harmoni mes shteteve.