E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani në OKB: Shqipëria mbështet parimin e juridiksionit mbarëbotëror

Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe çdo regjimi që dhunon ligjin e lirisë, duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kështu ka deklaruar Presisdenti i republikës, Bujar Nishani, gjatë fjalës së tij në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon. Gjatë këtij takimi të nivelit të Lartë mbi Shtetin e së Drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, Nishani theksoi se në pikëpamjen e tonë, Shteti i së Drejtës apo sundimi i ligjit është parësor për mirëqenien dhe mirëfunksionimin e shoqërive tona.
 

“Sa herë që ne kemi humbur vizionin për ligjin në nivel kombëtar dhe në nivel ndërkombëtar, jemi përballur me trazira, lufta dhe vuajtje. Çdo herë që i jemi përkushtuar ligjit dhe i kemi shndërruar në mbarëbotërore parimet e tij, kemi gjetur paqen, marrëveshjen dhe begatinë.Për hir të së vërtetës, marrëdhënia e njerëzimit me ligjin nuk është e lehtë, duke qenë se shoqëritë, popujt dhe kulturat tona kanë qasje të ndryshme përsa i përket ligjit. Gjithsesi, ne të gjithë pajtohemi me faktin se duke qenë të gjithë qenie njerëzore, që ndajmë të njëjtën botë, na kërkohet gjithnjë e më shumë të lëmë mënjanë interesat tona vetjake për hatër të së mirës së përbashkët. Shqipëria është e lumtur që i është përkushtuar me gjithë zemër këtij roli në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjë që ka kontribuar gjerësisht për atë që ne e quajmë bashkarisht "ligj ndërkombëtar" dhe para të cilit ne të gjithë jemi të prirur të bindemi” tha Nishani.
 

Lidhur me shtetin e së drejtës Presidenti ka përcaktuar dy pika të veçanta: njërën mbi tiparin mbarëbotëror të juridiksionit të Gjykatave Ndërkombëtare dhe që mbulon edhe vendimet e opinionet e tyre dhe mbi faktin që megjithë se ligji nuk qëndron mbi njerëzit, është bërë nga njerëzit, për njerëzit dhe për t`i shërbyer më së miri gjallesës dhe mirëqenies së tyre.
 

“Këto parime tashmë janë të provuara se kanë qenë thelbësore për historinë e vështirë në të cilin kombi im ka kaluar përgjatë shekujve. Populli shqiptar ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me sundimin e ligjit. Zbatimi i shpërfytyruar i sundimit të ligjit dhe aftësia me të cilën ligji është zbatuar për t`u shërbyer koncepteve të drejtësisë së klasës sunduese, krijoi në Shqipëria njërën prej diktaturave më djallëzore të Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, përpjekja e popullit shqiptar për demokraci në vitet `90-të ishte e lidhur ngushtësisht me mosaprovimin ndaj parimeve të qeverisjes së një shteti të papërgjegjshëm ndaj ligjit të tij të shpallur e të dekretuar. Mijëra qytetarë ishin bërë subjekt i ndëshkimeve kolektive, i gjykimeve politike dhe i një arbitrariteti të shumëfishtë nga ana e gjykatave dhe në mospërputhje me normat e të drejtave të njeriut” shtoi ai.
 

Më tej Nishani ka vlerësuar se është pikërisht parimi i Shtetit të së Drejtës, ai me të cilin ne kemi përafruar dhe përputhur të gjitha deklaratat tona kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, konventat dhe rregulloret tona si dhe vetë funksionimin e këtij organizmi madhështor.
 

“Kështu që nukështë aspak për t`u habitur që konsolidimi i sundimit të ligjit në Shqipëri në nivel kombëtar është shëndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonal dhe paqeje dhe sigurie afatgjatë. Është pikërisht parimi i Shtetit të së Drejtës ai me të cilin ne kemi përafruar dhe përputhur të gjitha deklaratat tona kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, konventat dhe rregulloret tona si dhe vetë funksionimin e këtij organizmi madhështor. Sot Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ne përkrahim luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës që nga Siria deri në Mianmar. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar” shtoi Presidenti Nishani.
 

Duke i parë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht sundimet e ligjit në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar Nishani, theksoi se Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, si një mekanizëm i rëndësishëm për t`i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë.
 

“Ata pasqyrojnë shoqi-shoqin dhe mbi të gjitha, meritojnë të gëzojnë një respekt të barabartë dhe të njëzëshëm. Ne e kemi jetësuar këtë në mënyrën më konkrete: Kushtetuta shqiptare parasheh se në rastin e një konflikti mes ligjit kombëtar dhe atij ndërkombëtar, mbizotëron ky i fundit. Kjo është garancia më e mirë se ndërsa respekton sovranitetin shtetëror, Shqipëria mbetet një partner vërtet i përkushtuar ndaj promovimit të drejtësisë, mbajtjes së përgjegjësisë dhe tepër e vendosur për ndëshkueshmërinë e çdo krimi të kryer. Në këtë drejtim, Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t`i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë.Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë” tha ai.
 

Presidenti Bujar Nishani ka shprehur shqetësimin lidhur moszbatimin e vendimeve dhe mendimeve të Gjykatave Ndërkombëtare nga shtete të caktuara, duke sjellë në vemendje këtu rastin e pavarësisë së Kosovës.
 

“Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioriteti të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan.Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit. Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocidive natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi” përfundoi Presidenti Nishani.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›