E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi në selinë e PS, inkurajon vijimin e konsensusit për statusin

Kur ka nisur numërimi mbrapsh i ditës kur Shqipëria do të marrë përgjigje për statusin e vendit kandidat, Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi shprehet optimist se klasa politike shqiptare do të gjejë konsensusin për miratimin e reformave të rëndësishme.
 

Kryediplomati u shpreh me nota pozitive për integrimin e vendit pas një takimi prej afro 30 minuta që pati me kreun e PS-së, Edi Rama . Duke folur në hyrjen e selisë rozë, Sequi tha se besonte se opozita shqiptare do të dëshmojë rol konstruktiv për integrimin e vendit.
 

"Takimi ishte shumë i ngrohte, shumë konstruktiv, do të thoja se vura re dëshirën e opozitës për të ecur përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Unë jam i sigurt se dhe në të ardhmen opozita do luajë një rol konstruktiv për të ecur përpara” tha ai.
 

Por në kohën që diplomati lëshonte këtë koment, në Kuvend palët politike nuk gjejnë dakordësinë për ligjin për Gjykatën e lartë, që përbën kusht për integrimin.
 

Ambasadori u shpreh optimist se pavarësisht debateve, fundi do të jetë i suksesshëm, sikurse ndodhi me reformën zgjedhore apo Avokatin e Popullit.
 

"Edhe unë e kam ndjekur debatin që është bërë në Shqipëri gjatë gjithë këtij viti. Reformat e rëndësishme si ajo zgjedhore dhe Avokati i Popullit ishin në fund të suksesshme. Unë jam një njeri që kam besim në ndërgjegjësimin e politikës që integrimi është një prioritet për Shqipërinë dhe kjo do të mbetet në qendër" u shpreh Sequi.
 

Ambasadori këmbënguli edhe një herë në apelin e tij për të kthyer integrimin në interes kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›