E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Integrimi nuk varet nga një ligj

Ai tha se opozita do të bëjë gjithçka që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Për mundësinë që ka që Shqipëria ta kalojë këtë herë provimin e vjeshtës duke vijuar përpjekjet deri në sekondën e fundit. Është një rrugë e përpjetë, por mundësia ekziston dhe ne do bëjmë gjithçka që Shqipëria dhe shqiptarët të mos ndëshkohen për të tretën herë këtë vjeshtë”, tha Rama në një deklaratë për shtyp.

 Sipas tij, statusin e meritojnë shqiptarët dhe jo qeveria. “Mesazhi ynë në parlamentin evropian ishte i qartë, ata që sot kanë pushtetin në Shqipëri nuk e meritojnë statusin e vendit kandidat, por Shqipëria e shqiptarët nuk e meritojnë të ndëshkohen për shkak të atyre që janë dhe për disa muaj në pushtet. Ne jemi sot shumë krenar që jemi opozitë që këtë vokacion e ka kthyer në një veprim konstant, sepse Shqipëria evropiane për ne, është një vizion shumë i qartë dhe më i thellë sesa disa ligje që ndryshe thotë ligji e ndryshe ndodh”, u shpreh.

Lideri opozitës u shpreh se me ardhjen në pushtet, Partia Socialiste do të rimëkëmbë atë që është rrënuar nga qeveria aktuale. “Statusi është një domosdoshmëri për të mos e lënë Shqipërinë të izolohet në batakun e keqqeverisje, dhe të krizës për shkak të keqqeverisjes. Ne do bëjmë gjithçka mundemi në mbrojtje të interesit kombëtar. Po ashtu, ne socialistët besojmë se duke marrë statusin do t’i jepnim shoqërisë tonë një mundësi për të përballuar sfidat, sidomos pas zgjedhjeve të 2013, kur do të na duhet të qeverisim për të rimëkëmbur ekonominë, për demokracinë dhe bashkimin me Evropën”, tha Rama.

Kreu socialist u shpreh se Shqipëria s’ka bërë asnjë aktivitet të denjë për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke sjellë këtu edhe hapjen e ekspozitës për harta shqiptare në Bruksel. “A ka më shqiptarë që sheh me sytë e vet, që dëgjon me veshtë e vet që mendon me mendjen e vet, që të mund të besojë në propagandën e ulët antiopozitare të pushtetit, që di vetëm një gjë, të tregojë me gisht opozitën duke mbuluar të pambulues”, shtoi ai. /Start/

                                                                                             2012-09-24 13:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›