E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani në takimin e NAAC: Shqiptarët në rrugën e duhur

Nishani ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në fjalën e tij, Nishani vuri theksin në rolin e diasporës shqiptare të Amerikës dhe veçanërisht të NAAC-ut në promovimin e paqes dhe demokracisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, në formësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe rolin e shtetit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Në këtë dhjetë dekada, ne kemi dëgjuar edhe thirrjet e burrave vizionarë, të cilët me kurajë, mençuri dhe vendosmëri i dhanë jetë pavarësisë dhe fillimit të shtetit të ri, që ishte i kërcënuar qysh në lindje e tij. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli dhe të tjerë që në këtë dhimbje mbarëkombëtare dhe copëtim të kombit qysh nga lindja e tij – u bënë njerëzit e vendosur për të fuqizuar shtetin e së drejtës me njohurinë maksimale të mundshme të epokës së tyre dhe kontributi i të cilëve duhet analizuar pa emocion duke e vendosur atë nën dritën e fakteve të vërteta, të çliruar nga mashtrimet dhe propaganda”, tha Nishani.

Ai ka falënderuar me këtë rast Shtetet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për kontributin e tyre në shembjen e komunizmit dhe për kujdesin e veçantë me të cilin kanë shoqëruar fuqizimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Kreu i Shtetit u shpreh se dy dekadat e fundit, Shqipëria ka përjetuar ndryshime të mëdha, ndërsa ndodhet më i sigurt. “Sot, vendi i cili dikur njihej për shkeljet më absurde të të drejtave të njeriut, që mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut, mban presidencën e radhës së Këshillit të Evropës, që është organizata ruajtëse e zbatimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, vijoi.

Presidenti i vendit thotë se në këtë përvjetor liria dhe begatia janë vendosur në mënyrë të pakthyeshme edhe në mbarë territoret e banuara nga shqiptarët. “Dëshiroj të rikujtoj angazhimin tim solemn të bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përgjatë mandatit tim presidencial: Kosova do të jetë përparësia kryesore e veprimtarisë sime në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nisma dhe forume dhe në mbështetje të rrugëtimit të saj integrues euro-atlantik”, shtoi. /Start/

                                                                                             2012-09-22 15:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›