E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani përgënjeshtron Wikileaks

16/09/2011  Kuvendi zhvillon seancë dëgjimore

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani i cilësoi të pabaza dhe me sfond politik zbulimet e Wikileaks, veçanërisht ato në adresë të zv.drejtorit të policisë Agron Kuliçajt. Ai raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku u pyet nga deputetët e opozitës për implikimin e Kuliçajt në disa ngjarje të rënda dhe i lidhur me trafiqe. Kuliçaj u denoncua nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti për kontrabandën e naftës, drejtori i policisë Burgaj u ankua sipas “Wikilieaks” tek ambasada amerikane se nuk e shkarkonte dot për shkak te ndikimit të kryeministrit, ndërsa një akuzë tjetër ishte se Kuliçaj ishte informator i të kërkuarit Dritan Dajti. Por ministri Nishani mohoi vërtetësinë e të gjithë kabllogrameve të ambasadës amerikane, ku përfshihet edhe deklarimi i drejtorit të Përgjithshëm Hysni Burgaj për vartësin e tij. “Nuk rezulton të ketë asnjë bazueshmëri, asnjë provë, asnjë fakt në lidhje me akuzat politike të pafaktuara, të pabaza që aktorë politikë në vend i kanë adresuar nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Kuliçaj. Edhe unë si ministër kam qenë i painformuar. Dhe nëse ka një çështje për të cilën kam ndier dhe ndiej keqardhje, është pikërisht fakti që kam qenë i painformuar. Nuk mund të diskutoj në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për çështje që trajton shtypi i ditës, një shtyp i lirë”, tha Nishani. Ministri sqaroi gjithashtu se vrasja e ish-deputetit të majtë Fatmir Xhindi nuk është politike, por tha se zbardhja është në dorë të Prokurorisë. Lidhur me ecurinë e hetimit te ngjarjes se 21 janarit, ministri tha se policia ka nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin me organizatorët e atij tubimi për të shpejtuar zbardhjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›