E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët mes votimit pro dhe kundër

16/09/2011  Deputetët e Partisë Socialiste nuk japin konsensusin për ligjet që kërkojnë 3/5

Kartonët jeshilë të opozitës në Komisionin e Ligjeve, u konvertuan në të kuq një ditë më pas

Oli Xhilaga

Partia Socialiste nuk do të japë konsensusin e saj për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Pra, përkundrejt deklaratave publike për bashkëpunim në miratimin e ligjeve apo drejtuesve të institucioneve që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, opozita parlamentare nën hije ka një tjetër strategji, e cila përkon pikërisht me ngritjen e kartonëve kundër tyre. Një situatë e tillë u bë dje më e dukshme në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, i cili diskutoi dhe miratoi katër projektligje vetëm me votat e deputetëve të shumicës parlamentare.

Vendimi

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ligjvënësit socialistë janë njohur dhe me qëndrimin e diktuar nga lidershipi socialist, lidhur me ligjet që kërkojnë 3/5 në Kuvend. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se gjatë punimeve parlamentare në të cilat do të diskutohen të tilla ligje, deputetët socialistë nuk duhet të japin konsensusin në miratimin e tyre. Por një vendim i tillë me sa duket nuk ishte kuptuar qartë nga i gjithë grupi, pasi dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve deputetët socialistë dhanë votat pro miratimit të Kodit Rrugor. Një veprim i tillë solli jo pak debate brenda kupolës rozë, ku po atë pasdite kryetari i PS-së tërhoqi vëmendjen e kryesisë së grupit kuvendor socialist për mosrespektimin e vendimeve politike. Por një ditë më pas, apeli i kryetarit socialist u reflektua qartë në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, pikërisht me qëndrimin që mbajtën deputetët socialistë ndaj katër kodeve që prisnin miratimin me shumicë votash.

Takimi

Komisioni i Veprimtarisë mori dje në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 ‘Kodi detar i Republikës së Shqipëris뒔, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 ‘Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipëris뒔, projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 10 040, datë 22.12.2008 ‘Kodi Ajror i Republikës së Shqipëris뒔, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 ‘Kodi Detar i Republikës së Shqipëris뒔. Këto projektligje u miratuan vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës në këtë komision, pasi deputetët socialistë braktisën mbledhjen me argumentin se mbi këto projektligje duhet një reformë e plotë dhe jo arnime. Të pranishëm në mbledhje ishin anëtarët e komisionit, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Ndryshimet e propozuara në këto kode vijnë në kuadër të reformës rregullatore për licensat e autorizimit dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, e cila ka 2 vjet që po aplikohet. Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në këto kode bëjnë kategorizimin e veprimtarive të përcaktuara në to sipas kategorive VII.4, VII.7, VII.6 të ligjit “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë".

Vendimi

“Nuk do të votojmë projektligje të paharmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave, atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare dhe transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë me fokus e standardet e integrimit evropian”, u shpreh Rama.

Vlefshmëria

Deputetët e Partisë Socialiste u larguan dje nga punimet e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Ndërkohë që mazhoranca ka vazhduar me shqyrtimin e ndryshimeve në katër kodet që ishin pjesë e këtyre punimeve, të cilat dhe u miratuan në fund. Por një procedurë e tillë është e pavlerë, pasi deputetët e PD-së i kanë shqyrtuar një herë këto amendamente, ndërsa votimi do të kërkonte 3/5.

Përplasja

Miratimi i Kodit Rrugor në Komisionin e Ligjeve dy ditë më parë u bë i mundur vetëm pas ngritjes së kartonëve jeshilë nga ana e deputetëve të PS-së në këtë komision. Por pas këtij veprimi, ligjvënësit socialistë u vunë nën shënjestrën e kreut të opozitës pse bashkuan votat me mazhorancën për një ndryshim me dy nene të Kodit Rrugor. Ndaj, deri në një ndryshim vendimi, opozita parlamentare nuk do të japë konsensusin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›