E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e huaja peng i garancive të pronësisë

16/09/2011  Sondazhi: Jashtë Tiranës është e vështirë të regjistrosh dhe marrësh garanci për të drejtat e pronësisë

Pronësia dhe garancia e pronave të paluajtshme mbetet një nga pengesat kryesore që hasin investitorët e huaj në vendin tonë. Në një sondazh ku testohen perceptimet e investitorëve të huaj që janë aktivë në Shqipëri sa i takon kuadrit të politikave, theksohet se kjo është një prej vështirësive kryesore. Megjithatë, investitorët e huaj të anketuar, rreth 80 prej përfaqësuesve të ndërmarrjeve, dhanë një vlerësim përgjithësisht pozitiv në lidhje me përshtatshmërinë e politikave ekonomike. Kështu, 72% e këtyre kompanive janë të mendimit se ato janë politikat e duhura ose pikërisht politikat që duhen. Sondazhi i përket periudhës qershor-korrik 2010 dhe është zhvilluar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri dhe projekti “Një OKB mbështetje për IHD-të, PNUD-Shqipëri”.

Të kënaqur apo jo

Pyetësori testoi se sa të kënaqura ishin filialet e huaja në lidhje me nëntë fusha legjislative. Një përqindje e lartë e të anketuarve, rreth 70 për qind u shprehën të kënaqur me barrën tatimore dhe ligjin për punësimin. Këta faktorë përfshijnë kushtet bazë për suksesin e investitorëve. Një përqindje e lartë e investitorëve gjithashtu u shpreh e kënaqur me sistemin e sigurimeve shoqërore dhe me kostot relativisht të ulëta për punëdhënësit. Pakënaqësitë lidheshin kryesisht me zbatimin e legjislacionit, vjeljen e taksave, rimbursimin e TVSH-së dhe burokracinë në përgjithësi. Afërsisht një e treta e të anketuarve shprehën pakënaqësi me programet mbështetëse të qeverisë, si për sa i përket strukturës, ashtu edhe për sa i takon aksesit ndaj këtyre programeve.

Pengesat

Një grup tjetër pyetjesh që u drejtohej të anketuarve kishte të bënte me pengesat dhe vështirësitë që ato hasin. Përgjigjet tregojnë se 3/4 e investitorëve të huaj mund të bazohen në fonde të mjaftueshme dhe gjejnë krah të mjaftueshëm pune për aktivitetet e tyre. Problemi më i madh i evidentuar është se gjysma e këtyre kompanive nuk gjejnë dot njerëz me aftësitë e duhura profesionale. Kjo mund të përkthehet në një nevojë për arsim dhe trajnim profesional më të mirë. Për shumicën e kompanive të huaja, zyrat e punës konsiderohen pothuajse të padobishme. Për sa i takon krahut të punës, këto zyra mund të ofrojnë akses sasior, por jo cilësor. Një fushë tjetër problematike e evidentuar është pasiguria e përgjithshme ekonomike, që mund të lidhet si me kushtet rregullatore, ashtu edhe me ato të tregut. Në komentet me shkrim përmendej gjithashtu edhe një komunikim i vështirë/i komplikuar me autoritetet. Garancia e aksesit ndaj pronave të paluajtshme në praktikë nuk funksionon siç duhet. Kjo është sidomos e vërtetë po të dalësh jashtë Tiranës, ku është e vështirë për të regjistruar dhe për të marrë garanci për të drejtat e pronësisë. Një problem i ngjashëm ka të bëjë edhe me licencat që kompanitë e huaja e kanë vështirë t’i sigurojnë, ndërsa disa konkurrentë lokalë marrin licenca false.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›