Ilir Meta, kandidat zyrtar për kreun e LSI-së
Petrit Vasili: Komiteti organizator ka pranuar kandidaturën e z.Meta, regjistrimet të hapura deri në 20 shtator
Zgjedhjet strukturore të brendshme të Lëvizjes Socialiste për Integrim tashmë kanë një kandidat zyrtar për kreun e kësaj partie, i miratuar dhe vlerësuar nga Komiteti Organizator i Zgjedhjeve të LSI. Në një deklaratë për shtyp, zëvendës/kryetari i LSI, Petrit Vasili tha se Ilir Meta është i vetmi kandidat zyrtar deri më tani, pretendent për të rimarrë drejtimin e kësaj partie, ndërsa theksoi se regjistrimi do të vazhdojë të jetë i hapur deri më 20 shtator, për çdo anëtar të LSI-së që do të bëhet pjesë e kësaj gare. “Komiteti organizator ka pranuar dhe ka marrë në shqyrtim iniciativën e kryetarit të LSI-së, zotit Ilir Meta për të kandiduar për postin e kryetarit të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme të cilat mbahen në datën 20 tetor të këtij viti. Komiteti organizator administroi të gjithë dokumentacionin përkatës, i cili ishte në përputhje të plotë me statutin dhe normat organizative të partisë dhe kandidati zoti Ilir Meta është zyrtarisht një nga kandidatët për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky proces i depozitimit të kandidatura është i hapur deri në datën 20 shtator të këtij muaji, ku të gjithë kandidaturat e tjera alternative kanë të gjithë afatin brenda normave që rregullon statuti dhe udhëzimeve përkatëse që rregullojnë këto zgjedhje për të depozituar kërkesat e tyre në përputhje me formularët përkatës për kandidimin për postin e lartë të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim”- u shpreh Vasili. Ai ka vlerësuar dhe ecurinë e forumeve të LSI lidhur me mbajtjen e aktiviteteve të ndryshme në vend, ku sipas tij janë realizuar tërësisht objektivat e kësaj partie dhe në jo pak raste dhe me tejkalim të tyre. “Kemi një ecuri tërësisht në përputhje me planin organizativ të miratuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim lidhur me proceset organizative në tërë territorin. Ecuria e tyre ka qenë shumë e mirë dhe në pjesën dërrmuese të rretheve të Shqipërisë këto objektiva organizative janë realizuar përpara afateve të parashikuara”- tha ai.
Sa i përket delegatëve pjesëmarrës në Konventën e tetorit të LSI-së, Vasili theksoi se, 572 vijnë si të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa 936 delegatë të tjerë zgjidhen në përputhje me shpërndarjen organizative të LSI-së në të gjithë Shqipërinë. Kriter i rëndësishëm tha ai, do të jetë edhe rezultati i realizuar në zgjedhje. Nënkryetari i LSI vuri në dukje se 30% e delegatëve do të jenë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim, dhe 30% përfaqësues të Lëvizjes së Grua për Integrim.