Qeveria do vazhdojë të rrisë pagat e mësuesve
Kryeministri Sali Berisha inauguron shkollën e re në Komunën Kashar
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje shkollën e re “Mustafa Lleshi” në komunën e Kasharit, Tiranë. Një investim prej 55 milion lekë, me një kapacitet prej mbi 400 nxënës, me një sipërfaqe prej 2100 metër katror, 14 klasa, 2 laboratorë, bibliotekë, salla sportive etj. Ndërsa vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, kryeministri Berisha u ndal edhe në këndin me veshje popullore të zonës dhe trevave të ndryshme të vendit, e ideuar nga mësuesit e nxënësit e shkollës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si dhe të 20 vjetorit të themelimit të komunës së Kasharit dhe e realizuar nga gratë artizane të zonës. Kreu i qeverisë i përgëzoi ata për këtë nismë, për të njohur, respektuar e ruajtur trashëgiminë etnografike të zonës, por edhe traditën e artizanatit, si një nga traditat më të çmuara kulturore të Shqipërisë, duke u shprehur se ndjehej i nderuar të vishte jelekun, element përbërës i kostumit popullor të trevës së Tiranës. Një nga artizanet i shprehu Kryeministrit falënderimet për miratimin së fundi, nga qeveria, të fondit për mbështetjen e artizanëve dhe gjallërimin e prodhimit artizanal shqiptar. Shefi i ekzekutivit premtoi se qeveria do të mbështesë prodhimin artizan dhe ftoi të gjithë komunat dhe bashkitë që të krijojnë për artizanët lehtësirat më maksimale jo vetëm si një nga rrugët më të sigurta të punësimit, por edhe të shpërthimit të trashëgimisë sonë të shkëlqyer kulturore krijuese.
Kryeministri Berisha u shpreh se prodhimi artizan do të jetë në vëmendjen e qeverisë ashtu siç ka ndodhur me sistemin arsimor, i cili ka qenë dhe është një nga prioritet e kësaj qeverie.
Duke u ndalur tek investimet në arsim, Kryeministri Berisha theksoi faktin se në një hark kohor të shkurtër nga 2006 e deri më sot qeveria ka dyfishuar buxhetin për arsimin, nga 25 miliard lekët që ishte në vitin 2005, sot ky buxhet bashkë me sektorin privat është mbi 50 miliard lekë. “Në një hark kohor të shkurtër, - u shpreh Kryeministri Berisha, - ne ia kemi dalë të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 71% të të gjithë shkollave para universitare të vendit, pa llogaritur këtu edhe 256 shkolla të reja para universitare të ndërtuara nga sektori privat”.
Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka gjatë mandatit që vjen, që çdo shkollë kudo që ndodhet të ndërtohet dhe rindërtohet në mënyrë që nxënësit e këtij vendi të ulen në shkolla moderne. “Ne sigurisht në detyrimin tonë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë publike, do ta pajisim atë me sistemet më moderne të mësimdhënies, por do të bëjmë gjithçka për të mbështetur sipërmarrësit që do të hapin shkollat private, ndaj dhe ju bëj thirrje ju zoti Kryetar i komunës, që qëndroni në krye të mbështetjes së kësaj iniciative, vazhdoni dhe mbështetini. Le tu japim ne atyre toka për shkollat, le tu krijojmë lehtësira të tjera, sepse kjo është një rrugë e sigurt për të mobilizuar sa më shumë fonde për edukimin e fëmijëve shqiptarë, kjo është një rrugë shumë e sigurt për të nxitur konkurrencën në garën e dijes, konkurrencë, e cila do të çojë gjithnjë e më lart këtë garë do të rrisë gjithnjë e më shumë këtë cilësi”- tha ai.
Gjithashtu kreu i qeverisë premtoi rritjen e rrogave çdo vit e më shumë për arsimtarët. “Ne vijmë sot me kënaqësi këtu, se ne kemi mbajtur plotësisht premtimin para tyre dhe duhet tu rikujtoj, se për një qeveri, për një kryeministër, premtimi për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e rrogave të arsimtarëve është më i vështiri që ai mund të ndërmarrë, sepse arsimtarët sot në këtë administratë, janë 58% e punonjësve të saj, por ne e kemi mbajtur atë dhe i garantoj ata, se çdo vit ne do të rrisim rrogat e tyre, se çdo ditë, ne do të kujdesemi për një situatë ekonomike dhe të gjithanshme me të mirë të arsimtarëve të vendit. Ky është një kusht që ata të përmbushin me dinjitet misionin e tyre. Sot kryeministri merr 4.5 rroga arsimtari, kundrejt 9 rroga arsimtari që merrte ai në vitin 2005. Raporti aktual ekzistues është ndër më të ngushtit në botë, por ju garantoj se ai nuk do të vijë duke u zgjeruar, ai do të vijë gjithnjë duke u ngushtuar, pasi rrogat tuaja do të rriten në mënyrë të pa ndërprerë”- tha ai.