E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani shkarkon kreun e SHISH-it, SHBA: Befasi. Reagon opozita

Kreu i shtetit largon Bahri Shaqirin, emëron ish-zv.ministrin e Pollos, Visho Lika. Rama: Turp! Presidenti, shërbëtor i Kryeministrit

Presidenti Bujar Nishani ka firmosur dje në mesditë shkarkimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur për mediat se Nishani pranoi kërkesën e Kryeministrit Sali Berisha.

Në vend të Shaqirit, në këtë post të rëndësishëm është emëruar sërish, me propozim të kreut të Ekzekutivit, zv.ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit, Visho Ajazi. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa f dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, Për Shërbimin Informativ Kombëtar, i ndryshuar, me propozimin të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri, dhe emërimin në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit të zotit Visho Ajazi Lika, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Presidencës.

Shkarkimi i Shaqirit pas emërimit të Bujar Nishanit në postin e Presidentit, u paralajmërua kohë më parë edhe nga opozita. Kryeministri Sali Berisha nuk ka pasur marrëdhënie të mira me ishkreun e SHISH, Bahri Shaqiri. Tre vjet më parë, kreu i Ekzekutivit u përplas me Shaqirin për disa ndryshime në ligjin e SHISH-it, mes të cilave edhe vendosja e mandatit për kreun e këtij institucioni. Ndërsa përplasja më e ashpër, edhe publike, mes tyre erdhi dy ditë pas ngjarjeve të 21 janarit. Kreu i Ekzekutivit e akuzoi Shaqirin si pjesë të puçit të organizuar nga opozita, duke mos dhënë asnjë informacion për protestën që po përgatitej në disa rrethe të vendit. Në takimin me policët tri ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, Kryeministri tha se edhe kryepleqtë dhanë më shumë informacion se Shërbimi Informativ Shtetëror për atë ditë.

Agjencia, e cila është përgjegjëse kryesore për informacionin për rendin kushtetues të vendit, në të cilën taksapaguesit shqiptarë paguajnë 1000 burra e gra, i dha drejtorit tuaj në datën 20 janar zero informacion. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë dhe përbën një akt të paprecedentë. Ndërkohë kur ju garantoj se nga kryepleqtë e Shqipërisë kam marrë me qindra informacione se po rekrutohen njerëz, po shpërndahen lekë, po jepen 1000-1500 lekë për transportin dhe 20- 30 mijë lekë për goditjen me gurë. Kurse kjo Agjenci u shurdhua dhe u verbua me mekanizmat që Parlamenti do ti nxjerrë në shesh, u shpreh Kryeministri.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror u thirr në atë kohë edhe nga Komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit, por kjo seancë nuk u zhvillua kurrë për shkak se disa nga anëtarët e këtij komisioni nuk ishin të pajisur me certifikatën e sigurisë për ruajtjen e informacioneve sekrete. Mbrëmë, në faqen e Kryeministrisë, emri i Visho Ajazit nuk figuronte më në listën e zv.ministrave të kabinetit qeveritar.

(Lajmin e plote me gjithe detajet, reagimet per shkarkimin dhe te dhenat se kush eshte kreu i ri i SHISH i lexoni ne numrin e sotem te gazetes “Panorama”)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›