Nishani vizitë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Vizitën e tij të parë si Ministër i Brëndshëm Bujar Nishani e ka zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. I shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj, Ministri Nishani ka zhvilluar takime me drejtorin e policisë së Tiranës Sajmir Muça dhe me krerët e komisariateve të kryeqytetit. Në takim është diskutuar për zbatimin e ligjit nga policia e shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve lokale të 8 majit.
Ministri Nishani vlerësoi në fjalën e tij trajnimet e vazhdueshme të drejtuesve dhe punonjësve të policisë së shtetit për procesin zgjedhor në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë OSBE, PAMECA dhe ICITAP.
"Keni bërë një punë të shkëlqyer në këtë aspekt. Jam informuar se përgjegjësitë në lidhje me legjislacionin janë konkrete për çdo punonjës të policisë. Objektivat janë të qarta dhe transparente. Duhet të arrini standartet e kërkuara në interes të qytetarëve shqiptarë. Nga drejtuesi më i lartë e deri tek punonjësi më i thjeshtë i policisë së shtetit të perceptoni detyrën tuaj dhe të ushtroni përgjegjësitë tuaja në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Çdo punonjës policie të ndihet i motivuar dhe i përgjegjshëm për detyrimet që i takojnë në bazë të ligjit dhe të bëjë mekanizmin e tërë të funksionojë, tha Ministri Nishani.
Nishani ka rimarrë postin e Ministrit të Brendshëm dy ditë më parë, post të cilin e drejtoi nga viti 2007 deri në vitin 2009. Ai ka zëvendësuar Lulzim Bashën, i cili u dorëhoq për t`u përfshirë në garën për kryetar Bashkie të Tiranës.