E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisi gjyqi ndaj Dritan Dajtit, akuzohet për vrasjen e katër policëve

Dje prorkurori lexoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kërkesën për Gjykim ndaj Dritan Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhoxhi


Oficerët pjesmarrës në operacion që i shpëtuan masakrës do thirren në gjyq si dëshmitarë. Në të njëjtin proces akuzohet edhe një ish- oficer policie


TIRANË- Nisi dje gjyqi ndaj Dritan Dajtit, kunatit tij, Erges Xhoxhit dhe ish-oficerit të Policisë e Durrësit, Mariglen Muça. Prokurori i çështjes Ardian Nezha lexoi kërkesën për gjykim të dosjes me nr. 62, gjatë të cilës, përshkroi ngjarjen e 7 gushtit 2009, në zonën e plazhit në Durrës, ku gjatë operacionit për arrestimin e shumë të kërkuarit Dritan Dajti u vranë katër policë. Dajti akuzohet se vrau efektivët, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, shokun e tij Ledjon Mara, si dhe plagosi një kalimtar me inicialet F.SH. Pas leximit të kërkesës, Nezha i kërkoi gjykatës 29 persona me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës.


Në këtë listë, prokurori renditi edhe emrat e efektivëve të policisë pjesmarrës në operacionin e mësipërm. Veç këtyre të dhënave, u kërkua administrimi i 53 procesverbaleve si prova materiale, i 40 akt-ekspertimeve si dhe prova të tjera materiale. Nëpërmjet tyre sipas prokuroritm, do zbardhet ngjarja 7 gushtit 2009, si dhe akuza të tjera ndaj Dajtit dhe kunatit të tij Xhoxhi dhe ish-oficerit Maringlen Muça.


Kërkesa për gjykimin
Me 07 gusht 2009, Sektori i Operacioneve Speciale në në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, morën informacion mbi vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, Dritan Dajti. Më pas u organizua puna për identifikimin, mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e tij, duke hartuar dhe planin operacional. Gjatë operacionit për kapjen e Dajtit, marrë pjesë punonjësit e policisë: Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari (që mbetën të vrarë) dhe policët me iniciale A.Xh., P.L., F.M., P.S., A.M., F.G., A.K. dhe P.H. Në këtë datë, këta efektivë mbajtën nën vëzhgim në zonën "Iliria" në lagjen nr.13 në plazhin e Durrësit, Dritan Dajtin.


Rreth orës 13:45 konstatuan automjetin "Volksëagen Touareg", me ngjyrë e zezë me targa "CR 535 FR". Për këtë automjet ishte marrë informacion se drejtohej nga Ergest Xhoxhi, kunati i personit në kërkim, Dritan Dajti. Në vendin e parë të mjetit udhëtonte Ledjon Mara dhe në sediljen e pasme Dritan Dajti. Pas konstatimit automjetit, vazhdoi puna për kapjen e tyre. Rreth orës 13:50 të ditës së ngjarjes, automjeti ndaloi pranë kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël "Iliria". Në këtë moment grupi operacional u afrua drejt mjetit "Touareg", me tri vetura të ndryshme. Fillimisht u afrua "Volksëageni Golf" blu, në të cilin ndodheshin A.Xh. dhe P.S.Në automjetin e dytë "Ford Fiesta" ishin Kastriot Feskaj dhe F.M, ndërsa në të tretin, "Renault" gri ishin efektivët P.L, F.G. dhe Sajmir Duçkollari.


Polici Altin Dizdari mbërriti tek mjeti "Touareg" me një motor. Sapo u afruan tek ky mjeti, punonjësi i policisë Fatos Xhani hapi derën e shoferit dhe me thirrjen "Ndal policia" iu drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme. Menjëherë nga ana e këtij personi u hap zjarr në drejtim të Fatos Xhanit duke e lënë të vdekur. Po nga brenda saj, i njëjti person hapi zjarr nga krahu i djathë i makinës, nga brenda jashtë me dy armë zjarri, duke mbetur vrarë Sajmir Duçkollari. Efektivët e policisë P.S. dhe Kastriot Feskaj u përpoqën të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit tip "Touareg", kur policia hyri në veprim. Efektivi P.S. neutralizoi një person rreth 25 vjeç, 1.80 metër të gjatë që e rrëzoi në tokë. Polici F.M. bllokoi dhe prangosi Erges Xhoxhin dhe tentoi ta largojë nga vendi i ngjarjes, pasi kishte të shtëna armësh. Personi i kapur nga polici P.S. mundi të largohej dhe në ndjekje të tij u vu Kastriot Feskaj, që u fut në një rrugicë paralele me atë ku ishte ndaluar mjeti. Personi që vrau policët Xhani dhe Duçkollari, doli nga dera e mjetit, pas ndenjëses së shoferit dhe hapi zjarr drejt policit Altin Dizdari dhe ai mbeti i vrarë bashkë me Ledjon Marën.

Më pas personi që doli nga makina u nis drejt plazhit, me një çantë të hedhur krahë qafë, duke qëlluar dy herë në drejtim të policit P.S. që kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës ai për në plazh. Ai po përleshej me personin që arriti të largohej. Personi që u largua u ndoq nga Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë Feskaj ka arritur ta neutralizojë atë. Pasi pa këtë skenë personi me pistoletë në dorë (Dajti), iu afrua Feskajt dhe e qëlloi dy herë. Personi i neutralizuar u largua dhe nuk është bërë identifikuar ende. Personi me pistoletë në dorë (Dajti) pasi qëlloi Feskajn vazhdoi rrugën drejt plazhit dhe qëlloi edhe në drejtim të të miturit F.Sh. që kthehej nga plazhi. Në ndihmë punonjësve të policisë mbërritën efektivë të tjerë që bllokuan Dajtin. Pranë tij u afrua polici P.S, që e prangosi. Në këtë moment ai u vetëidentifikua si Dritan Dajti. Gjatë veprimeve të kryera u vu re se arma që kishte në dorë Dritan Dajti nuk kishte më fishekë dhe se ai qe plagosur dhe u transportua nga në spitalin e Durrësit.


Në çantën që mbante krah qafë u sekuestruan disa sende dhe dokumente personale, si dhe një krehër pistolete me fishekë. Gjatë operacionit u arrestuar Erges Xhoxhi, kunati Dritan Dajti. Gjatë hetimit është provuar se Dritan Dajti ka falsifikuar dhe ka përdorur tri dokumente policie. Ndërsa në bashkëpunim me shtetasin Ergest Xhoxhi ai ka falsifikuar dhe ka përdorur dokumentet e mjetit tip "Volksëagen Touareg" me targa CR 535 FR. Dritan Dajti ka konsumuar veprën penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" në katër raste, ku janë vrarë katër policët, si dhe "vrasjen me dashje" në mënyrë të rrezikshme ndaj Ledjon Marës, si dhe plagosjen e shtetasit F.Sh. Nga hetimi i këtij procedimi penal, u provua se Ergest Xhoxhi, ka përkrahur Dritan Dajtin si dhe i ka siguruar atij kushte për t'i shpëtuar arrestimit. Dajti rezulton të jetë burri i motrës së Xhoxhit. Është provuar se të dy ata kanë falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip "Touareg" me targa CR 535 FR, me të cilin lëvizte Dajti.

Në vend ngjarje, përveç të tjerave, është sekuestruar një aparat telefoni celular me numër 06943....që i përket Ergest Xhoxhit. Nga këqyrja e tij, rezultoi se ai kishte kontakte telefonike të shpeshta me oficerin e policisë Mariglen Muça në numrin celular 0694111... (telefoni i punës). Po nga këto të dhëna ka rezultuar se i arrestuari Xhoxhi, ka pasur kontakte dhe policë të tjerë dhe për këtë arsye, hetimi u përqendrua në verifikimin e këtyre lidhjeve. Pas pyetjes së punonjësve të policisë që kishin kontakte telefonike me të arrestuarin Ergest, rezultoi se Mariglen Muçaj, ka pasur lidhje të ngushta shoqërore me Ergest Xhoxhin.


Duke iu referuar të dhënave të përftuara nga shpjegimet e punonjësve të policisë të marrë në pyetje, ka rezultuar se oficeri i policisë, Muçaj, i ka siguruar Xhoxhit një uniformë policie. Këtë ai ia ka dhënë Dajtit dhe e kanë përdorur për të realizuar disa dokumente policie në mars të vitit 2008. Këtë uniformë oficeri i Mariglen Muçaj, e kishte tërhequr në Drejtorinë e Policisë së Korçës, kur ai punonte atje. Në fotot me uniformë të Dritan Dajtit dallohet grada nënkomisar, që i përket gradës së Mariglen Muçajt. Edhe në dokumentin identifikimit fletëhyrjen, të lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë me emrin Astrit Zeneli me fotot e Dajtit, funksioni organik është i njëjtë atë që ka pasur ne Korçë Mariglen Muçaj, atë të hetuesit të krimeve kundër pronës. Nga hetimi provohet se oficeri, Mariglen Muçaj, me veprime në kundërshtim me ligjin, i ka krijuar lehtësi Ergest Xhoxhi dhe veçanërisht personit shumë të kërkuar Dritan Djati, përmes fshehjes së identitetit të tij.

Ish-oficeri Muça: Nuk kam lidhje me ngjarjen
Ish-oficeri i vjedhjeve në zonën e plazhit në Durrës i pandehuri Mariglen Muça, gjatë fjalës së tij të parashtrimit të kërkesave paraprake, i kërkoi gjykatës t'i veçohet dosja e tij me pretendimin se nuk kishte lidhje me ngjarjen e vrasjeve të katër ish-kolegeve të tij. "Avokati im kërkoi veçimin e dosjes nga të pandehurit e tjerë dhe jo mos kompetencës Gjykatës për të cilën ka kërkuar më parë. Unë kërkoi të gjykohem veçmas, për akuzën e ngritur të "shpërdorimit të detyrës". Nuk kam lidhje me këtë ngjarje dhe as nuk kam qenë aty"-tha Muça duke kundërshtuar akuzën e ngritur nga prokuroria. Edhe avokati mbrojtës i të pandehurit Muça kërkoi veçimin e çështjes dhe thirrjen me cilësinë e dëshmitarëve të dy rrobaqepëseve, që sipas tij, kanë qepur rrobat e policisë me të cilat Dajti ka dal në fotografi.


Më pas edhe avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata për mbrojtjen e interesave ligjore të të pandehurit Ergest Xhoxhi kërkoi veçimin e dosjes nga i pandehuri Dritan Dajti. Kërkesë kjo e cila u kundërshtua nga prokurori Nezha. Edhe Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi t'i rrëzoi kërkesat për veçim të dosjes. Ndërsa, avokatja e Dritan Dajtit i kërkoi gjykatës dhe prokurorisë të urdhërojnë Drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve të krijojnë kushtet për sjelljen e Dajtit në seancë gjyqësore. Kjo kërkesë, sipas gjykatës i është plotësuar Dajtit disa herë dhe ai nuk dëshiron të paraqitet në gjyq.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›