Helsinki: Ndëshkoni dhunuesit e Maks Velos
Organizata e të drejtave të njeriut iu kërkoi autoriteteve të drejtësisë të dënonin agresorin e artistit
Dy netë më parë, policia mori denoncimin e arkitektit pas kërcënimeve që ai i denoncoi në gazetën "Shekulli"
TIRANË- Pas dhunës fizike ndaj arkitektit Maks Velo, ka ardhur edhe reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili e ka dënuar ashpër sulmin. Organizata që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, e ka konsideruar dhunën ndaj Velos, si një akt brutal që duhet të marrë ndëshkim nga organet përgjegjëse. Sipas KSHH-së, dhuna ndaj arkitektit dhe artistit të njohur përbën një sjellje të kundraligjshme. Kjo është parë si një cenim i integritetit fizik të një shtetasi dhe së dyti, si një tentativë për të ndalur ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes.
"Dhuna, me sa duket, është ushtruar si një kundërpërgjigje ndaj një shkrimi të arkitekt Velos, të botuar në gazetën "Shekulli", disa ditë më parë. Dhunuesi në këtë rast kërkon të frikësojë persona me kuraje civile si Velo, i cili siç është e njohur për mbarë opinionin shoqëror, nuk ka hezituar të thotë fjalën e tij, si profesionist me integritet, lidhur me çështje të artit, ndërtimit, arkitekturës"- thuhet në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Dhunuesi veprimin e tij ia ka drejtuar edhe gjithë shtetasve të tjerë, që mendojnë e veprojnë si Maks Velo, sa here që konstatojnë se cenohet interesi publik. Ekspertët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit janë takuar me arkitektin dhe artistin Maks Velo, duke i ofruar edhe asistencë ligjore për ndjekjen e çështjes në organet e drejtësisë.
Por burime nga KShH-ja pohuan dje për "Shekullin", se Velo ka hezituar për shkak të mosbesimit të tij ndaj organeve të drejtësisë, që duhet të hetojnë ngjarjen dhe të ndëshkojnë personin. Ndërkohë që edhe mosbesimi i arkitektit Velo ndaj organeve që duhet të zbardhin ngjarjen, ku ai u dhunua tre ditë më parë në kryeqytet, shikohet si një shqetësim tjetër nga ana Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Nga monitorimet dhe nga kontaktet që ka pasur KSHH-ja me individë të ndryshëm, për shkelje të të drejtave të tyre, është konstatuar se raste të tilla ngurimi nuk janë të pakta. Shumë qytetarë kanë shprehur mosbesimin e tyre ndaj organeve të drejtësisë në Shqipëri. KShH-ja i bën thirrje gjithë opinionit shoqëror për t'u bashkuar me reagimet e shumta ndaj një sjelljeje të tillë.
Maks Velo, u dhunua fizikisht tre ditë më parë në zonën pranë stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa". Arkitekti u dhunua fizikisht dhe u kërcënua pas një shkrimi të botuar nga ky i fundit, i cili kishte shprehur rezerva për arkitekturën e disa ndërtimeve në Tiranë. Ndërkohë një ditë pas dhunës ndaj Velos, Policia e kryeqytetit ndaloi autorin e dyshuar të sulmit, biznesmenin Shpëtim Dema. Sipas policisë, Dema do të hetohet në gjendje të lirë për veprat penale të "kanosjes" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje".