E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria e Durrësit, në shërbim të interesave private të një qytetari”

Nga Arben Ibroja, Drejtor i Doganës së Durrësit

Me anë të kësaj shkrese, më lejoni t`Ju bëj prezent një ngjarje që ka ndodhur në Degën e Doganës Durrës, ngjarje në të cilën janë të përfshirë punonjës të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Më datën 12.11.2008, pranë Degës së Doganës Durrës, është paraqitur shtetasi Radovan Kola, i cili ka kërkuar që autovetura tip “Audi” me targë BV399NT që ai kishte importuar, të vendosej nën Regjimin e Lejimit të Përkohshëm me procedurë të thjeshtuar.

Pas prezantimit të kërkesës verbale, nga ana e doganierëve të ngarkuar me këtë detyrë, pasi u shqyrtua dokumentacioni i prezantuar, u konstatua se ky dokumentacion nuk ishte bindës, pasi mjeti nuk ishte në pronësi të personit që e importonte atë dhe në këto kushte u refuzua dhënia e menjëhershme e miratimit për vendosjen e këtij mjeti nën RLP deri në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij problemi nga doganierët përkatës pas përfundimit të procedurave të fluksit të punës.

Shtetasi i mësipërm, menjëherë kontaktoi me mua në ambientet e punës së doganës duke më bërë prezente situatën. Pas shqyrtimit të dokumentacionit që subjekti mbante me vete, iu bë prezent fakti se dokumentacioni i paraqitur ishte jo i besueshëm dhe si i tillë, në bazë të nenit 18 të Kodit Doganor, ishte e detyrueshme që të paraqiste dokumente shtesë ku të provonte lidhjet e tij me pronarin e mjetit, si dhe arsyet e qëndrimit të përkohshëm të këtij mjeti në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë ose në të kundërt duhet të procedonte me vendosjen e automjetit në RLP me procedure të plotë doganore (kundrejt paraqitjes se DAV-it IM5 në kushtet e garancisë). Menjëherë pati një reagim jokorrekt duke u përgjigjur se “...unë nuk do të paraqes asnjë dokument tjetër dhe mjeti do të dalë...” Shtetasi u largua duke lënë mjetin të parkuar në terminalin e trageteve.

Në këto kushte, u krye verifikimi në sistemin TIMS pranë Pikës së Kalimit në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës nga ku rezultoi se shtetasi Radovan Kola ka importuar në Shqipëri gjatë periudhës 2005-2008 edhe 6 automjete të tjera, automjete të cilat ishin vendosur më parë nën RLP (pajisur me Vërtetim Hyrje) dhe nuk rezultonin t’i kishte mbyllur këto regjime doganore, pra mjetet të kishin dalë nga Territori Doganor i Republikës së Shqipërisë. Duke pasur parasysh se regjimi doganor në fjalë parashikon qëndrimin e përkohshëm të mjetit në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë për një periudhë kohore maksimalisht 6 muaj të vazhdueshëm apo jo matur gjatë një periudhe 12-mujore, rezulton se aktualisht duhet të jenë në emër të shtetasit të mësipërm 6 automjete nën RLP (të pajisur me VH). Mbetet nën detyrimin e këtij shtetasi të japë prova të mjaftueshme lidhur me fatin e këtyre automjeteve.

Me datën 13.11.2008, pranë Degës së Doganës Durrës u paraqitën dy persona të prezantuar si Oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Arian Xhaferraj dhe Klandi Malaj, persona këta që ishin të shoqëruar nga shtetasi i mësipërm (Radovan Kola) dhe, pasi kontaktuan me mua në prezencë të këtij të fundit, më kërkuan sqarime lidhur me arsyet e mospajisjes së këtij automjeti me Vërtetim Hyrje. Gjatë kohës që po komunikoja me punonjësit e mësipërm dhe po i shpjegoja qëndrimin e Degës së Doganës Durrës, shtetasi i mësipërm, i cili ishte prezent gjatë gjithë këtij komunikimi, ndërhyri duke më bërë presion të hapur: “...njeri ti, njeri unë. Të shohësh ti se ç’do të bëj...” Menjëherë iu drejtova punonjësve të prokurorisë duke i vënë në dukje se ky është një presion i hapur që po i bëhet një nëpunësi publik gjatë kryerjes së detyrës, veprim ky i cili përbën vepër penale, por oficeri i prokurorisë mjaftohet vetëm me qortimin e shtetasit të mësipërm duke i thënë: “Pusho ti! Tani jemi ne...”. Më pas të dy punonjësit e prokurorisë së bashku me këtë shtetas u larguan në të njëjtën makinë.

Nëse ngjarja do të mbyllej këtu, do të kishim vetëm një konflikt të vogël dhe shumë pyetje pa përgjigje: A ishte regjistruar procedimi penal në momentin që këta punonjës të Organit të Prokurorisë u paraqitën në doganë? Pse punonjësit e prokurorisë, të pashoqëruar me ndonjë shkresë zyrtare, interesohen për një procedurë doganore? Pse punonjësit e prokurorisë gjatë kryerjes së detyrave të tyre funksionale shoqërohen edhe nga kallëzuesi i veprës (gjë e cila normalisht ndodh vetëm nëse kanë ndonjë interes personal)? Pse punonjësit e prokurorisë nuk ndërhynë në rastin kur u kërcënua publikisht nëpunësi i shtetit gjatë kryerjes së detyrës në prani të tyre? Pse punonjësit e prokurorisë për çështje të njëjta veprojnë me standarde të ndryshme? Çfarë e lidh personin që ka bërë kallëzimin me Prokurorinë e Përgjithshme? etj.

Po më datë 13.11.2008, rreth orës 15:15, jam kontaktuar në telefon nga dy punonjësit e mësipërm duke më kërkuar të depozitonin një shkresë zyrtare nga Organi i Prokurorisë. I bëra prezent faktin se personalisht isha larg dhe se proceduralisht shkresën mund ta depozitonin në sekretarinë e Degës së Doganës, Durrës. M’u komunikua në telefon se, nëse nuk veproja menjëherë, do të ndiqesha penalisht.

Rreth orës 15:45 minuta jam kontaktuar në telefon nga nëpunësit e doganës ku më është bërë prezent fakti se punonjësit e prokurorisë kanë kontaktuar në telefon me arkivistët e Degës së Doganës Durrës duke i urdhëruar ata të mos lëvizin nga vendi i punës, si dhe në korridorin e zyrave të Degës së Doganës Durrës. Këta persona, gjatë komunikimit me punonjësit e administratës, janë shprehur se kanë urdhër për të sekuestruar totalisht arkivin e Degës së Doganës Durrës duke e dyllosur atë, veprim për të cilin do të ndihmoheshin edhe nga Forcat e Policisë së Rendit.

Shqetësimi ishte tepër i madh, pasi ky qëndrim i organit të Prokurorisë Durrës ishte i paprecedent. Marrëdhëniet ndërmjet Degës së Doganës Durrës dhe Organit të Prokurorisë në përgjithësi dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës në veçanti kanë qenë tepër korrekte duke respektuar gjithnjë afatet kohore për kthimin e përgjigjeve, si dhe me procedurë të përshpejtuar në çdo rast që është kërkuar. Në këto kushte, lajmërova punonjësit që të mos largohen nga vendi i punës, edhe pse orari zyrtar po kalonte.

Rreth orës 16:45 jam paraqitur në zyrë dhe menjëherë i kam deleguar shkresën nr. 13162 datë 13.11.2008 sektorit përkatës për zbatim.

Në këto momente në zyrën time është paraqitur prokurori i çështjes, i shoqëruar nga zv/prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe shefi i Komisariatit të Policisë pranë Drejtorisë së Policisë, Durrës. Jashtë ambienteve të zyrave ishin prezente edhe mjete të tjera të policisë, duke krijuar një gjendje “terrori psikologjik”, si te punonjësit e doganës, ashtu edhe te personat që gjendeshin në këto ambiente, duke paralizuar në njëfarë mënyre edhe funksionimin normal të punës.

Në diskutimin që u zhvillua në zyrën time ndërmjet personave të lartpërmendur me mua, forma e bisedës ishte tendencioze, duke krijuar një situatë jonormale komunikimi. Gjatë bisedës iu bë i ditur fakti se jam kërcënuar nga shtetasi në fjalë në prezencë të Oficerëve të Prokurorisë, por mora si përgjigje se kjo është një tjetër çështje për të cilën mund të bëja denoncim më vete, pasi kërkova që të bëja kallëzim për dy oficerët e lartpërmendur në lidhje me mosreagimin, përgjigjja ishte: “Nuk kemi ardhur për këtë, por zbato këto çfarë të themi” (a thua se unë isha një kriminel që s’kisha asnjë të drejtë, por vetëm të zbatoja ato që thanë ata).

Në këto kushte, përfaqësuesve të prokurorisë iu kërkua të paraqitnin aktin zyrtar me anë të të cilit kërkonin të sekuestronin në mënyrë të plotë arkivin e Degës së Doganës Durrës duke e dyllosur atë dhe kuptohet, duke pezulluar të gjithë punën në këtë ambient. Reagimi i tyre ishte i menjëhershëm, duke u shprehur se nuk kishin ardhur për të dyllosur arkivin (duke mohuar në këtë mënyrë atë që kishin shprehur vetë më parë), pra në këtë rast kemi të bëjmë me presion.

Paralelisht me zhvillimin e kësaj bisede, oficerët e Policisë Gjyqësore po sekuestronin dokumentet e kërkuara nga ana e tyre, dokumente këto që pjesërisht gjendeshin në arkivin e Degës së Doganës Durrës, si dhe ato që ishin në përdorim nga punonjësit e doganës.

E njëjta situatë vazhdoi edhe më datën 14.11.2008, duke proceduar me sekuestrimin e dokumenteve, marrjes në pyetje të personelit doganor etj.

Pasdite, një nga oficerët e Policisë Gjyqësore u paraqit pranë sporteleve të Degës së Doganës Durrës, sektori i Vërtetim Hyrjeve, dhe me të njëjtat dokumente, në mënyrë të paligjshme, kërkoi me këmbëngulje pajisjen e këtij mjeti me Vërtetim Hyrje. Pas refuzimit të doganierit për të proceduar me argumentimin se tashmë kjo çështje po hetohej, ky person kërcënoi se, nëse nuk pajisej me Vërtetim Hyrje, do të ndiqej penalisht. Vlen të theksohet fakti që dy oficeret e prokurorisë gjatë gjithë paradites shoqëroheshin edhe nga zotëria që kishte bërë kallëzimin (Radovan Kola). Më pas u informova se pikërisht ky doganier, i cili punon pranë Sektorit të Vërtetim Hyrjeve, nuk gjendej në vendin e punës së tij. Pas interesimit, konstatova se në një nga zyrat e Degës së Doganës Durrës, Oficerët e Policisë Gjyqësore e kishin marrë atë në pyetje. Pas komunikimit për arsyen e këtij veprimi, veprim i cili ka sjellë si pasojë braktisjen e vendit të punës dhe pezullimin e përpunimit të tragetit të Ankonës, i cili sapo kishte mbërritur, mora si përgjigje se kishin urdhër për të shoqëruar për në Komisariatin e Policisë edhe të gjithë punonjësit e pikës së kontrollit Hyrje-Dalje për t’i marrë në pyetje. Menjëherë iu kërkua që të mos procedonin në mënyrë të tillë që të mos lihej Dega e Doganës, sektori përkatës pa punonjës, veprim i cili do të sillte si pasojë pezullimin e përpunimit të tragetit që tashmë kishte mbërritur. Gjithashtu, iu kërkua dokumenti zyrtar, i cili do të bënte të mundur shoqërimin e komplet punonjësve të këtij turni pune gjatë orarit zyrtar të punës, në rastin kur nuk ishim në kushtet e “flagrancës” duke krijuar vështirësi në realizimin e misionit të doganës, mbikëqyrjen e zonës doganore. Pas argumenteve të shtruara nga ana e jonë, oficerët e Policisë Gjyqësore u larguan duke marrë me vete vetëm dy punonjës nga pesë që punojnë në këtë sektor.

Ju kërkoj ndjesë për zgjatjen dhe njëkohësisht kërkoj që të ndalet kjo dhunë psikologjike që po ushtron Prokuroria e Durrësit ndaj Doganës së Durrës (rasti që bëhet fjalë është banal), sepse gjatë natës ka vazhduar me ndalimin e dy doganierëve dhe nga kjo që po shikohet ajo nuk arrin të ndalet nga shkeljet. Në këto kushte jam i pafuqishëm që të vazhdoj punën normale.

Zonja Prokurore e Përgjithshme!

Duke pasur respektin maksimal për Ju personalisht dhe për Institucionin që Ju drejtoni, si një organ i cili garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke luftuar abuzimin me detyrën të njerëzve të veshur me pushtet, Ju parashtrova shqetësimin tim si qytetar dhe si drejtues i një institucioni me besimin e plotë në gjykimin Tuaj.

* Letra i është drejtuar zonjës Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme

Dhe për dijeni:

Z. Bamir Topi, President i Republikës,

Z. Sali Berisha, Kryeministri i Republikës Shqipërisë,

Z. Enkelejd Alibeaj, Ministër i Drejtësisë

Z. Përparim Dervishi, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›