Një klub për bashkatdhetarët rusë dhe vëllezërit shqiptarë
Kultura jonë dhe ajo ruse takohet në shumë pika. Padyshim, ëndrra dhe dëshira jonë është që këto marrëdhënie të arrijnë në atë nivel që ato kanë qenë dikur. Nga kjo, besoj se të dyja vendet dhe popujt tanë vetëm të mira do të kenë. Ne mund të marrim shumë nga ky vend i pasur, por edhe ata mund të fitojnë diçka të re nga kultura shqiptare, apo jo? Ëndrra e çdo qytetari rus përkon me atë që ato kohëra të vështira midis dy vendeve tona, koha e perdes së hekurt, të mos kthehet kurrë më. Të paktën e kanë një adresë ku mund të trokitet, por nuk është mjaftueshëm. Është si ajo shtëpia e re që duhet të mbushet me të gjitha orenditë e nevojshme. Dhe financimi mbetet pengesa kryesore. Atë çfarë kanë deri më tani është dashuria e pashtershme për vendin e tyre, i cili iu mohua për më shumë se 30 vjet dhe një bibliotekë me libra rusë, të cilën po e pasurojnë pak e nga pak. Suzana Karagjozi, kryetarja e Shoqatës së Bashkatdhetarëve Rusë në Shqipëri, thotë në një intervistë se kjo shoqatë, jo si një iniciativë e saj private, por rezultat i bashkimit të shumë zërave në mbështetje të saj, është në hapat e saj të parë. E themeluar në 2007-ën, kjo shoqatë ka për qëllim të sjellë më pranë bashkatdhetarëve rusë vendin e tyre amë, si edhe të shuajë kuriozitetin e shumë admiruesve shqiptarë për Rusinë, kulturën, vlerat dhe traditat saj. "Mund të them se qëllimi i krijimit të kësaj shoqate ishte ngjallja e një interesi akoma më të madh për kulturën ruse ndër bashkatdhetarët që gjenden këtu te ne, si dhe për të sjellë vendin e tyre më afër me festat e tyre tradicionale. Në këtë mënyrë, ne mund të krijonim një Rusi të vogël në Shqipëri", thotë Karagjozi. Sipas saj, "është koha për të kërkuar ndihmë nga media dhe nga organizata donatore të ndryshme që mund të na mbështesin në këtë iniciativë tonën. Për momentin jemi me ndihmat e bashkatdhetarëve tanë. Ata kanë dhënë ndihmën e tyre në mënyrë vullnetare". Ajo njëkohësisht fton të gjithë bashkatdhetarët rusë që nuk janë në dijeni të kësaj shoqate ku mund të trokasin, të bashkohen me këtë organizëm dhe të shprehin edhe problemet që ata mund të kenë. "Përpjekjet tona do të vazhdojnë derisa ne të krijojmë një klub në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ky nuk do të jetë një klub vetëm për rusët, por edhe për shqiptarët, që ta njohin kulturën e këtij vendi dhe ta shijojnë atë. Ka admirues të Rusisë, të cilët mund të duan të bashkohen me ne", përfundon Karagjozi. Sipas saj, klubi i bashkatdhetarëve rusë bashkëpunon me Shoqatën e Bashkatdhetarëve Rusë. Tashmë janë tri breza të tyre në Shqipëri. Në vitin 2007 lindi nevoja e themelimit të një shoqate që do t‘i përfaqësonte, qëllimi i së cilës do të ishte ngjallja e një interesi akoma më të madh për kulturën ruse, për të sjellë më afër Rusinë përmes festave tradicionale. "Në këtë kontekst ne kemi organizuar shumë koncerte të këngës, të gjuhës ose kampionate të ndryshme, për shembull të shahut (siç e dimë Rusia dallohet për këtë lojë) si e si që të mbahet gjallë lidhja e bashkatdhetarëve me vendin e tyre. Mund të them se jemi të vonuar në krahasim me vendet e tjera, të cilat kanë kanalin e tyre televiziv, shkollat e të tjera", vijon më tej zonja Karagjozi. "Nëse do të flasim konkretisht për aktivitete të caktuara, mund të them se jemi nisur nga fakti se Rusia është një vend me shumë tradita të forta. Për shembull, le të marrim gastronominë karakteristike ruse. Me qëllim që nipërit dhe mbesat tona të mos e harrojnë këtë traditë, ne organizojmë dreka ose darka të vogla me ushqime tradicionale ruse. Qëllimi është të mos e lëmë këtë traditë të mrekullueshme të vdesë apo këtë shije të mrekullueshme të ushqimit rus të harrohet. Edhe hapja e kursit të gjuhës ruse falas është diçka tjetër me mjaft interes. Zor se gjen ndonjë nga brezi i dytë që nuk di rusisht. Ne nuk duam që kjo gjuhë e mrekullueshme, të cilën e flet më shumë se gjysma e botës, të harrohet nga nipërit dhe mbesat tona", vazhdon Karagjozi, sipas së cilës këta janë vetëm hapat e parë të krijimit të një klubi. Për momentin po punohet për krijimin e një biblioteke me libra rusë. Po si e shohin shqiptaro-rusët marrëdhënien mes të dy vendeve? "Ne, si njerëz të thjeshtë me gjysmë gjak shqiptar dhe gjysmë rus, do të donim t‘i bashkonim bashkë Shqipërinë dhe Rusinë nëse ato do të ishin afër gjeografikisht, sepse shikojmë shumë gjëra të përbashkëta brenda vetes sonë. Kultura jonë dhe ajo ruse konvergon në shumë pika. Padyshim, ëndrra dhe dëshira jonë është që këto marrëdhënie të arrijnë në atë nivel që ato kanë qenë dikur. Nga kjo, besoj se të dyja vendet dhe popujt tanë vetëm të mira do të kenë. Ne mund të marrim shumë nga ky vend i pasur, por edhe ata mund të fitojnë diçka të re nga kultura shqiptare, apo jo? Ëndrra e çdo qytetari rus përkon me atë që ato kohëra të vështira midis dy vendeve tona, koha e perdes së hekurt, të mos kthehet kurrë më", përfundon Karagjozi.