E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin ethet e Botërorit, De Biazi në provën e parë

TIRANE - Kombëtarja shqiptare starton sot aventurën e saj në eliminatoret e Botërorit 2014, në një epokë të re në kuptimin e plotë të fjalës. Pas largimit të Josip Kuzhe, Shqipëria ka një trajner italian, Xhani De Biazin, ndërsa ekipit pas më shumë se një dekade do t'i mungojnë emra si Altin Lala, Klodian Duro apo Ervin Skela. "Gjithsesi, kemi ndërtuar një grup lojtarësh, miks mes atyre me eksperiencë dhe atyre të rinj që mund të na japin një rezultat të mirë për sa i përket kualitetit të skuadrës për të tanishmen dhe të ardhmen, - deklaroi De Biazi në konferencën e fundit për shtyp, mbajtur dje në Durrës. - Jam një person që kërkoj shumë nga vetja dhe pretendoj shumë nga puna që bëj por edhe nga ata që më rrethojnë. Një nga aspektet që e kam të shenjtë është fakti se në fillim para se të ndërtosh një skuadër duhet të ndërtosh një grup lojtarësh që mendojnë më shumë me ne sesa unë", shton italiani.
Detajet
Për De Biazin, këto lloj ndeshjesh bazohen te detajet dhe duhet të jesh i kujdesshëm në imtësi për të fituar. "Dihet tashmë se me detaje të vogla bëhet diferenca dhe nëse e kuptojmë këtë kemi bërë një hap të madh drejt më të mirës që mund të na çojë shumë larg, - shprehet trajneri i përfaqësueses shqiptare. - Besoj se edhe në shqip ka kuptim kjo thënie. 'Nëse njeh kundërshtarin mund ta mundësh'. Kësaj thënie i shtoj se Qipron e kemi vëzhguar me kujdes kur luante me Serbinë e Bullgarinë. Është një skuadër e ngurtë nëse mund ta themi kështu. Kështu që duhet të kemi kujdes, por nuk do të thotë se ne nuk do ta fitojmë këtë ndeshje. Do të hyjmë në fushë për ta fituar", deklaron De Biazi.
Shqipëria
Po si do të luajë Shqipëria e De Biazit? Trajneri italian mundohet të mbajë gjithçka të fshehtë, ndërsa shprehet se të gjithë ata që janë grumbulluar duhet të mendojnë sikur janë titullarë edhe pse në fushë do të jenë vetëm 11. "Kam përpara një grup lojtarësh që kanë treguar se kanë dëshirë për të luajtur për të dhënë gjithçka që më ndjekin dhe që kanë të ardhme. E jona është një rrugë shumë shumë e gjatë që nuk përfundon pas dy ndeshjesh, por në tetor 2013", deklaron tekniku. De Biazi shprehet se skuadra kuqezi nuk është në formën e saj më të mirë sa i përket aspektit fizik, por sipas tij, ndeshja e parë ka shumë rëndësi dhe duhet fituar. "Duhet të kemi respekt për kundërshtarët, por jo frikë, - thotë trajneri i Shqipërisë. - Qipro nuk është Spanja, por një skuadër që duhet respektuar. Futbolli i sotëm është i ekuilibruar. Diferencën e bëjnë çuditë e lojtarëve të mëdhenj", përfundon De Biazi. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›