E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë problemet e Interit

Interi e nisi furishëm sezonin e ri në Serie A duke dominuar 3-0 ndaj Pescaras. Por, skuadra milaneze u trondit në xhiron e dytë duke pësuar 1-3 në shtëpi nga Roma. Nerazzurrët e Andrea Stramaccionit kanë probleme. Këto janë pesë kryesoret.

Humbja me Romën ka sjellë një atmosferë pesimizmi në radhët e Interit, që pas fitores së bindshme 3-0 në javën e parë me Pescarën u duk se ishte në një moment të shkëlqyer forme. Të mërkurën, “La Gazzetta dello Sport”, e përditshmja sportive italiane identifikoi pesë problemet kryesore të skuadrës së trajnerit Andrea Stramaccionit, të cilat duhen tejkaluar në vazhdim të sezonit në Serie A.

Varësia nga Sneijder – Në dy javët e para u konfirmua tendenca se forma e skuadrës varet shumë nga ajo e fantazistit holandez Wesley Sneijder. Skuadrës i duhet një zëvendësues për ato ditë kur Sneijder nuk është në formë të mirë dhe Coutinho apo Ricky Alvarez i kanë të gjitha mundësitë të luajnë në të njëjtin rol.

Mbrojtje tepër e ngathtë – Shtatë gola të pësuar në tri ndeshjet e para, përfshirë Europa League, janë më shumë se një sinjal alarmi. Andrea Ranocchia dhe Matias Silvestre në qendër nuk ofrojnë asnjë garanci dhe rikthimi i Walter Samuel mund të përmirësojë disi situatën, por trajnerit i duhet të punojë shumë për të kompaktësuar grupin me emrat që ka.

Përshtatja e Cassanos – Në ndeshjen e parë u duk gjithçka shumë e lehtë, por përballë Romës u pa qartë se Antonio Cassano ngatërrohej shpesh në fushë me Sneijderin dhe nuk ka ende të qartë rolin e tij. Mbase mund të ishte më e përshtatshme që Palacio të luajë si titullar, derisa Cassano të kuptojë atë që i kërkohet në radhët e Nerazzurrëve.

Moslidhja e reparteve – Kundër Romës, Interi u duk si një skuadër e ndarë në dy pjesë në 90 metra të fushës, me katër futbollistë përpara dhe gjashtë pas. Në këtë kuadër është e rëndësishme që ekipi të bëjë më shumë për të unifikuar repartet dhe për të luajtur si grup, e kjo mund të arrihet me ndryshimin e skemës apo përshtatjen e njërit prej Walter Gargano, Dejan Stankovic apo Esteban Cambiasso përkrah Fredy Guarinit në një rol mbështetës në mesfushë.

Mungesa e Maiconit – I shitur tek Manchester City, Douglas Maicon që për disa vite me radhë ishte një “lokomotivë” në krahun e djathtë, tashmë duhet zëvendësuar. Yuto Nagatomo ka luhatje të rëndësishme në rendimentin e tij, ndërsa Jonathan, ndonëse luajti mirë tek Parma, nuk duket se ka cilësitë e mjaftueshme për ta zëvendësuar. Një mundësi është kapiten Javier Zanetti, i mësuar me këtë pozicion, por më e rëndësishmja për Interin është të mësojë të mos e përqendrojë lojën djathtas, ku nisjet drejt sulmit dhe harkimet e brazilianët tashmë nuk janë një opsion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›