Nisin fluturimet në ndihmë të banorëve
Paraditen e djeshme helikopterët e emergjencës kanë evakuuar një grua të sëmurë nga fshati mali i Jushit, e cila u dërgua menjëherë për në spitalin ushtarak pasi ishte në gjendje të rëndë. Ulja e helikopterit është bërë e detyruar në tarracën e një ndërtese njëkatëshe, pasi nuk kishte asnjë mundësi tjetër, në një tokë të mbuluar nga uji. Dje është shënuar dita e parë e nisjes së fluturimeve të helikopterëve të ardhur nga Italia në ndihmë konkrete të banorëve. Helikopterët BO-105 kanë fluturuar për rikornicion, transport ndihmash prej 25 tonësh drejt zonave të përmbytura dhe janë kthyer në Farkë. Helikopterët CH-47 kanë kryer gjithsej 6 misione, duke shpërndarë ndihma 16.5 tonë ushqime dhe 16.1 ton ujë në rajonin Velipojë, Dajç, Guri i Zi. Veç mjeteve nga ajri, në ndihmë të situatës emergjentë në Shkodër, janë angazhuar forcat ushtarake e policore jo vetëm nga vendi, por dhe nga shtetet fqinje.