Përmbytja, alarmi shkon në qytet
SHKODER/ RIdVAN DIBRALagja “Xhabije” e qytetit të Shkodrës po i bashkëngjitet zonave të tjera të përmbytura të qarkut. Niveli i ujit sa vjen e po shtohet në këtë lagje si rezultat i bllokimit të kolektorëve të ujërave të bardha dhe të zeza. Ajo që është me shqetësuese është se këto ujëra, me të dalë në sipërfaqe kanë filluar të bashkohen me njëra-tjetrën e të mbajnë një erë të rëndë duke u bërë një shqetësim serioz për mundësinë e përhapjes së sëmundjeve tek banorët e kësaj lagjeje. Mësohet se këta bëjnë transportin e ujërave të bardha drejt Bunës dhe ujërave të zeza drejt Drinit. Por rritja e nivelit të lumenjve dhe dalja e ujit mbi rrugën kryesore mbi kolektorët sjell dhe shpërndarjen e tyre në qytet. Kjo gjendje ishte në rrugët e Shkodrës ditën e djeshme, në pjesën hyrëse të qytetit. Nga një ditë më parë, niveli i ujit aty është rritur, duke e çuar në 30 cm. Kjo e hënë ka shënuar ditën me më shumë ujë në zonën e Shkodrës. Sipas informacioneve të Bashkisë së Shkodrës po bëhen përpjekje të vazhdueshme që stacioni i pompave të ujit të pijshëm të mbahet nën një regjim të rreptë kontrolli, duke bërë analiza të ujit 3 herë në ditë. Njëkohësisht janë instaluar pranë këtij nënstacioni disa pompa të ardhura nga Greqia, të cilat janë të afta të punojnë në një regjim të pranisë së ujit në sipërfaqe. Sipas disa nga banorëve të vjetër të qytetit të Shkodrës, një nivel i tillë i pranisë së ujit në qytet nuk është parë që nga viti 1968, kur ai pati depërtuar deri në 2 km në lagjet e qytetit të Shkodrës. Veç lumenjve, rënia e reshjeve të shiut ditën e djeshme ka rënduar situatën. Rruga kryesore e qytetit është e mbushur me ujë, por deri tani nuk ka probleme në shtëpi. Ashtu si dhe lagjja “Xhabije” në Shkodër dhe Shiroka e Zogaj janë bllokuar nga rritja e nivelit të liqenit të Shkodrës. Uji i liqenit ka dalë në rrugën që lidh Shirokën dhe Zogajn me Shkodrën, duke i izoluar ato plotësisht. Ndërkohë që vazhdon të jetë e paqëndrueshme situata në komunat e qarkut të Shkodrës. Gjatë ditës së djeshme raportohej e bllokuar edhe Velipoja, për shkak të rritjes së nivelit të ujit tek ura e Dedë Gjo Lulit. Megjithëse gjatë ditës së djeshme ulja e reshjeve u shoqërua me ulje të nivelit të pranisë së ujërave në zonën e Dajçit dhe të Velipojës, rikthimi i tyre gjatë pasdites bëri që këto dy akse të bllokuan sërish. Po kështu, edhe zona e Darragjatit vazhdon të përmbytet. Krahas komunave tashmë të identifikuara si më problematike, në këtë listë janë shtuar dhe ato të Anës së Malit, të Dajçit dhe të Velipojës, atyre u janë shtuar edhe komunat e Gurit të Zi, të Bushatit dhe të Bërdicës. Toka të përmbytura, sipërfaqe të përmbytura që shtohen, uji që herë largohet dhe herë rikthehet, zona të tëra të bllokuara nga vërshimi i ujit, familje që evakuohen, kamionë ushtrie, helikopterë që shpërndajnë ndihma dhe ndihmojnë njerëz. Kjo vazhdon të jetë situata e rajonit të Shkodrës, ndërsa nuk parashikohet ende përmirësimi i saj. Vëmendja e ekipeve të evakuimit, krahas nxjerrjes së banorëve është përqendruar edhe në shpëtimin e bagëtive, pas këmbënguljes së vetë familjarëve. Pasi lënë shtëpitë dhe dalin në tokë të thatë atëherë banorët shprehin brengën se me çfarë do të ushqehen. Zona e Nënshkodrës njihet si një nga zonat më të mëdha të prodhimit bujqësor dhe blegtoral në shkallë vendi. Shifrat më të fundit bëjnë të ditur për 10 mijë e 400 hektarë tokë të përmbytur, 4 mijë e 800 persona të evakuuar nga fshatrat dhe lagjet e qytetit të Shkodrës si dhe 2500 shtëpi të përmbytura. Të dhënat e djeshme të përmbytjesBashkia Shkodër 250 ha tokë të përmbytura, 586 persona të evakuuar dhe 330 shtëpi të përmbyturaKomuna Dajç2 mijë ha të përmbytura, 2 mijë persona të evakuuar dhe 1187 shtëpi të përmbyturaKomuna Ana Malit 1200 ha të përmbytura, 282 persona të evakuuar dhe 180 shtëpi të përmbyturaKomuna Velipojë2 mijë ha të përmbytura, 25 persona të evakuuar dhe 50 shtëpi të përmbyturaKomuna Bërdicë1900 ha të përmbytura, 810 persona të evakuuar dhe 368 shtëpi të përmbyturaKomuna Guri Zi1000 ha të përmbytura, 730 persona të evakuuar dhe 210 shtëpi të përmbyturaKomuna Bushat1700 ha të përmbytura, 312 persona të evakuuar dhe 150 shtëpi të përmbyturaKomuna Qendër, M.Madhe50 ha të përmbytura, 10 persona të evakuuar dhe 8 shtëpi të përmbyturaMinistratMinistrat e shtabit të emergjencave kanë bërë një shpërndarje të zonave problematike për të pasur një tablo më të qartë të situatës së përmbytjeve. Kështu, ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha si kryetari i grupit ndërministror mbikëqyr situatën në komunën e Dajçit, ministri i Bujqësisë Genc Ruli komunën e Velipojës, ai i Transporteve, Sokol Olldashi komunën e Bushatit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili komunën e Gurit të Zi në fshatin Kuç.