Nisin hetimet për akuzat e Dik Martit
Kanë nisur edhe në praktikë hetimet për akuzat e Dik Martit. Task Forca për Hetime Speciale që udhëhiqet nga prokurori amerikan Klint Uilliamson ka kompletuar stafin të premten.
Prokurori dhe ekipi i tij janë kthyer nga vizitat që kanë pasur në Kosovë, Serbi e Shqipëri. Nëpërmjet hetuesve po marrin informacionet institucionale të përmendura në raportin e senatorit zviceran, Dik Marti. Informacionet po analizohen dhe në këtë mënyrë do të hartohet strategjia në bazë të së cilës do të kryhet hetimi.
Ka qenë me rëndësi që në fillim të garantohet mbështetja e nivelit të lartë politik në Prishtinë, Beograd dhe Tiranë. Task Forca tani është në proces të sigurimit, analizimit dhe kryerjes së disa hetimeve. Të gjitha do të krijojnë strategjinë prokuroriale, ka thënë zëdhënësi i Task Forcës, Juri Laas. / Koha.net