E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen: Zgjidhja për veriun, jo vetëm me mjete ushtarake

Në ditën e dytë të takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s që është duke u mbajtur në Bruksel është konfirmuar vazhdimi i pranisë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë.

Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar, një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë njerëzit e Kosovës dhe një rivendosje e plotë e lirisë së lëvizjes. Për këtë duhet të ruajmë praninë aktuale të KFOR-it. Ne do ta reduktojmë atë vetëm nëse këtë e lejojnë rrethanat, dhe kur të vijë koha e duhur, tha në një konferencë shtypi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Ai ka thënë se për veriun duhet gjetur zgjidhje politike. Situata aktuale në veriun e Kosovës nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake. Për këtë arsye, i inkurajojmë edhe Beogradin edhe Prishtinën që të angazhohen në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje afatgjatë, ka thënë Rasmussen.

NATO-ja kishte paraparë zvogëlimin e trupave në Kosovë, por pas zhvillimeve që kanë ndodhur nga korriku i vitit të kaluar në veri të Kosovës, zvogëlimi i trupave është i pamundur, pasi i vetmi garantues për të mbajtur një gjendje paqeje në veriun e barrikadave serbe, është KFOR-i. / Kosovapress

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›