E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin investimet për ujë dhe kanalizime, ndërpritet uji i pijshëm

23/01/2009  Plazh, ujërat e bardha dhe të zeza në një tub

DURRES- Në një pjesë të rrugëve dytësore dhe të blloqeve të familjeve në lagjen numër 13 të Durrësit kanë nisur të realizohen disa investime. Konkretisht po realizohen që nga fillimi i këtij muaji projekti për kanalizimin e ujërave të bardha pranë rrugës tek “Peshku i freskët”, pranë sektorit “|Hekurudha”, tek “Fizarmonika” në të majtë të rrugës Ura Dajlanit-Plepa. Po ashtu kanë nisur gërmimet edhe në anën tjetër të blloqeve të godinave pranë ambulancës dhe në një nyje tjetër. Bashkia ka vendosur të nxjerrë nga buxheti i saj 50 milionë lekë për projekte të tilla, të cilat ende pa nisur kanë shfaqur problemet e para. Gjatë punimeve firma zbatuese ka ndërprerë ujin e pijshëm si dhe janë dëmtuar në seri të gjitha linjat telefonike. Familjarët kanë mësuar nga zbatuesit e projektit se ata nuk kanë ndërmend të lidhin tubacionet e këputura duke sjellë jo pak problem në furnizimin e qindra shtëpive me ujë të pijshëm. Për të lehtësuar punën është thënë se në të njëjtin tub do të derdhen edhe ujërat e zeza të banesave e lokaleve që shtrihen përgjatë rrugëve të bëra objekt investimi. Thuajse të gjitha rrugët dytësore në Plazh kanë probleme që lidhen me kanalizimet anësore, mosfunksionimin e kanalit ujëmbledhës duke sjellë përmbytje si dhe me ujërat e zeza. Banorët janë shprehur se bashkia duhet të mendojë për të ofruar zgjidhje që do të shërbejnë për një periudhë relativisht të gjatë kohe, ndërkohë që investimet e nisura janë parë me dyshime. Fakti se zbatuesit e projekteve nuk marrin përsipër të rilidhin tubat apo edhe derdhja e ujërave të zeza në të njëjtin tub me ujërat e bardha ka shtuar shqetësimin e banorëve në zonën më të populluar gjatë sezonit të verës në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›