Gazsjellësi i Semanit, qeveria ping-pong mes Italisë dhe Mbretërisë së Katarit
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare duket se po luan me projektin e gaz-sjellësit dhe TEC-it me gaz që parashikohet të ndërtohet në zonën e Semanit në Fier. Pasi nuk ka mundur që të konkludojë projektin brenda afateve, qeveria shqiptare duket se ka pasur kontradikta me kompaninë italiane e cila duhet të niste nga puna sipas marrëveshjes, me ndërtimin e gazsjellësit. Sipas të dhënave, kompania italiane “Falcione” që do të niste nga puna për ndërtimin e parkut energjetik të Semanit, duket se ka pasur vonesa në realizimin e projektit. Pas kësaj duket se interes për këtë projekt ambicioz i cili duhet ti çonte gaz edhe vendeve të BE-së, ka shprehur Katari, një vend i njohur për prodhimin e gazit natyror. “Plani për të përfunduar studimin e nën-detit për ndërtimin e një gazsjellësi mes Shqipërisë dhe Italisë është vonuar për dy muaj si pasojë e motit të keq në Adriatik”, njoftuan media të rajonit, duke cituar një deklaratë të kompanisë “Falcione”. Kompania është licencuar vitin e kaluar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një rigazifikuesi në Seman dhe një gazsjellësi me kapacitet 8 miliardë metër kub. Por kalimi i afateve të fillimit të punimeve duket se do ta penalizojë kompaninë italiane duke e humbur të drejtën për këtë projekt.
Licenca
Qeveria shqiptare ka treguar edhe herë të tjera se është në gjendje që të prishë kontrata të ndryshme me kompani të huaja, duke parë interesin më të madh ekonomik. E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe me kompaninë italiane “Falcione”, e cila nuk po tregohet korrekte me zbatimin e afateve për nisjen e ndërtimit të gazsjellësit në Seman. Licencat e dhëna nga qeveria shqiptare kanë zakonisht afat njëvjeçar dhe që të gjitha pa përjashtim kanë fituar shtyrje afati. Por faktin se është në gjendje të anulojë projekte të rëndësishme qeveria shqiptare e ka treguar edhe me kompani të tjera, kryesisht italiane. Një shembull të tillë qeveria e ka treguar me projektin e hidrocentralit të Skavicës, për të cilin qeveria ka ndryshuar skemën duke ia hequr të drejtën kompanisë italiane dhe duke pretenduar ta ndërtojë vetë edhe pse vlera e kësaj vepre shkon deri në 500 milionë euro.
Gazsjellësi
Sheiku i Katarit, Hamad bin Khalifa Al Thani, pritet të vizitojë kryeqytetin shqiptar, si pjesë e diskutimeve për mundësinë e importeve të gazit nga Katari për në Seman. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të qeverisë. Axhenda e vizitës ka përfunduar sakaq nga grupi i punës dhe mbetet të përcaktohet data. Katari zotëron rreth 14 për qind të rezervave botërore të gazit natyror dhe është një eksportues i rëndësishëm i gazit të lëngëzuar. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e vizitoi Katarin në mars të vitit të kaluar, ku u diskutua për mundësinë e zhvillimit të një terminali për përpunimin e gazit në Shqipëri. Qeveria shqiptare miratoi disa marrëveshje për bashkëpunim dypalësh në maj.
Tregu botëror i gazit është i dominuar nga pak fuqi dhe nuk shitet në treg të hapur. Për këtë arsye, shtetet i negociojnë çmimet e gazit duke marrë për referencë ato të naftës. Bashkimi Europian synon të shpëtojë veten nga monopoli në furnizimet e gazit nga Rusia dhe ka shprehur mbështetjen e vet në ndërtimin e impianteve të degazifikimit në brigjet e kontinentit. Shqipëria preket nga disa projekte që synojnë të furnizojnë Europën me gaz, por vetëm përmes lidhjeve politike me një vend eksportues si Katari, projekte të tilla mund të realizohen. Në muajin dhjetor në Tiranë u zhvillua një konferencë e organizuar nga Banka Islamike për Zhvillim, ku u njoftua se ekziston një plan, në bazë të së cilit Shqipëria mund të furnizojë me ujë të pijshëm Katarin, duke përdorur të njëjtat cisterna që do të përdoren për të sjellë gazin e lëngshëm në Shqipëri.
Biznesi me Francën, mbërrin në Tiranë sekretarja franceze për Tregtinë
Sekretarja franceze e Shtetit për Tregtinë e Jashtme, Anne Marie Idrac, do të vizitojë Shqipërinë, Serbinë dhe Turqinë nga data 22-26 mars. Lajmi konfirmohet nga ambasada franceze në Tiranë, sipas të cilës ajo gjatë takimeve të parashikuara në Shqipëri, do të flasë mbi rëndësinë që i kushton Franca dinamikës evropiane të këtij vendi dhe do të shprehë mbështetjen e saj për rritjen e pranisë franceze në Shqipëri. “Kjo do të thotë se do të konfirmojë vullnetin tonë politik për rritjen e këmbimeve tregtare me këtë vend, i cili ka një potencial ekonomik të madh dhe është që prej dhjetorit 2009 kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian”,- thuhet në njoftimin e ambasadës franceze. Nga ana tjetër, bëhet me dije se në Serbi, Anne-Marie Idrac do të konfirmojë mbështetjen e Francës për afrimin e këtij vendi me Bashkimin Evropian dhe do të kërkojë rritjen e pranisë së ndërmarrjeve franceze në Serbi, pikërisht në projektet e mëdha, në fushat e infrastrukturës dhe të transporteve. Tregu serb, i cili përbën shtyllën kurrizore të Ballkanit, është shumë konkurrues dhe ka tërhequr tashmë disa vende të Bashkimit Evropian, citon ambasada franceze. Duke shtuar se, “në të dy vendet Ballkanike, pjesëmarrja franceze në treg është akoma shumë e vogël në krahasim me potencialin e cilësisë së marrëdhënieve tona politike, kulturore dhe historike. Për këtë arsye, konsiderohet se kjo vizitë, së bashku me përfaqësuesit e rreth njëzet sipërmarrjeve franceze, do të kontribuojë në përforcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me këto vende”.
Legalizimet: 3 muaj kohë për rimbursimin me letra me vlerë
Të gjithë personat që kanë kryer tashmë pagesën e legalizimit kanë të paktën 3 muaj afat, për të aplikuar pranë ALUIZNI-t për rimbursimin në lekë kundrejt dorëzimit të bonove të privatizimit. Ligji i kaluar këtë fillim muaji nga Parlamenti i Shqipërisë, pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh dhe menjëherë të fillojë nga zbatimi. Ndërkohë, personat që nuk kanë kryer ende pagesën e legalizimit për ndërtimet pa leje, nuk kushtëzohen në kohë për të paguar me letra me vlerë. Sipas ligjit të ri, për aktivizimin e bonove të privatizimit edhe gjatë legalizmit të ndërtimeve pa leje, për sipërfaqe deri 500 metra katrorë do te mund të paguhet me letra me vlerë 70 për qind e detyrimit ndaj Agjencisë së Legalizimit. Për të përballuar fluksin e ri të punës, në të gjitha drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t po ngrihen zyra të veçanta që do të trajtojnë aplikimet për pagesat nëpërmjet bonove të privatizimit.
23 Shkurt 2010