Ushqimet, edhe 160 euro më shumë këtë vit për të njëjtat produkte
Ervin KOÇI
Konsumatori shqiptar është i detyruar që këtë vit, të shpenzojë një sasi më të madhe parash për të njëjtën sasi ushqimesh. Shkak është kriza ekonomike dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore që në një vit distancë janë shtrenjtuar me 30-40 lekë për çdo artikull. Tashmë, për të njëjtën meny me atë të një viti më parë, çdo amvisë ose familje duket të shpenzojë një sasi parash që po të llogaritej me çmimin e rritur të çdo artikull konsumi, vlera do të shkonte të paktën në rreth 150-160 euro më tepër. Por nuk duhet harruar se sasia e parave që çdo familje fut në buxhetin e saj familjar, është e njëjtë ose mbase më e vogël se ajo e një viti më parë. Çmimet në treg po rriten me shpejtësi dhe, me sa duket, asnjë institucion nuk ka mundur të ndalojë një tendencë negative që solli inflacionin vjetor 3.5% në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë niveli i inflacionit në vend në janar të këtij viti ka shkuar në 3.6 për qind. Kjo është shumë pranë nivelit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 përqindësh, por më lart se objektivi optimal, prej 3 për qind.
Çmimet
Në "shportën" e tregut të shqiptarëve, bën përshtypje një rritje e jashtëzakonshme e çmimit të grupit "zarzavate përfshirë patatet", që shiten sivjet mesatarisht më se 35 për qind më shtrenjtë, krahasuar me çmimet e të njëjtëve artikuj një vit më parë në të njëjtën periudhë. Në përgjithësi, ushqimet kanë pësuar një rritje (janar 2010-janar 2009) në masën 6.8 për qind, sheqernat +11%, mishi +3.5% dhe peshku +4%. Ndonëse lëvizjet e ofertë-kërkesës në tregun shqiptar, pas festave të fundvitit, duhet të rikthehen në normalitet, edhe për shkak të faktit se kërkesa ka rënë ndjeshëm, në tregjet e fruta-perimeve çmimet mbetën. Kjo është një situatë absurde, e cila tashmë ka fituar "të drejtën e qytetarisë".
Doganat
Deficiti ushqimor, midis eksportit dhe importit të produkteve bujqësore e blegtorale, gjatë vitit 2009, sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka arritur në 663 milionë dollarë amerikanë. Ndërkohë, nga zhdoganimet e këtyre produkteve administrata fiskale ka arkëtuar gjatë së njëjtës periudhë 22.8 miliardë lekë, shifër kjo, 3.5 herë më e lartë se gjithë shuma e caktuar në Buxhetin e Shtetit në favor të Ministrisë së Bujqësisë, për vitin 2010. Në një studim të kryer nga institute private, bazuar mbi shifrat zyrtare del se tregtia e mallrave ushqimore ka tregues më të përkeqësuar se sa ato të tregtisë së mallrave në përgjithësi. Shkalla e mbulimit të eksport-importit në Shqipëri është 1:4.2, ndërkohë që për produktet ushqimore, edhe për vitin 2009, vazhdon të jetë 1:10. Tregtia ushqimore përbën 15% të volumit tregtar (17% të importeve dhe vetëm 7% të eksporteve), duke sjellë edhe 20% të deficitit tregtar. Por, qeverisë, me sa duket, i intereson më shumë fakti që importet ushqimore zënë një vend shumë të rëndësishëm në të ardhurat doganore. 21% e të ardhurave nga zhdoganimi (nga taksa doganore, TVSH dhe akciza) sigurohen nga importet ushqimore, edhe pse ato zënë vetëm 17% të importeve në vleftë. Kjo vjen si pasojë edhe e faktit që mjaft nga prodhimet bujqësore janë mallra që trajtohen me akcizë, si dhe mjaft nga prodhimet kryesore ushqimore vazhdojnë të kenë tarifa doganore 2-10%. 10 nga produktet ushqimore bëjnë pjesë në 25 prodhimet më të rëndësishme për të ardhurat doganore.
Produktet agrare
Struktura e eksporteve për prodhimet agrare dhe të industrisë ushqimore është e kufizuar në numër. Mbi 55% e vleftës së eksporteve realizohet vetëm nga dy grup produktesh. Gjatë vitit 2009, grupi i parë i produkteve agrare më të rëndësishme për eksportet u përket prodhimeve të peshkut dhe grupi i dytë prodhimeve të bimëve medicinale. Edhe pse Shqipëria përbën një potencial të rëndësishëm, veçanërisht për perimet dhe shalqi, me sa duket, nuk është i lehtë marketingu i prodhimeve të freskëta në tregjet europiane dhe bazë vazhdojnë të mbeten tregjet rajonale, ku dominon shalqiri me peshë të madhe, por vleftë valutore të vogël. Në rritje është eksporti i ujit të pijshëm. Prodhimet me origjinë blegtorale, përfshirë mishin dhe prodhimet e bulmetit, arrijnë në një vlerë të importit prej 80 milionë eurosh në vit. Prodhimi blegtoral vendas përbën veprimtarinë më të rëndësishme ekono-mike në ekonominë e fermave shqiptare dhe burimin më të rëndësishëm të të ardhurave familjare. Por, me nivelin aktual të importeve në këtë grup produktesh dhe veçanërisht tendencat e rritjes së importeve, po bëhet shumë pak konkurrues prodhimi blegtoral. Kjo, si nga importi i kafshëve të gjalla për therje direkte dhe fakti që e gjithë industria e sallamit punon vetëm me mish importi, të importuar kryesisht nga Brazili.
Projektet e rrugëve, qeveria do te likuidojë ndërtuesit me 30 milionë euro
Ndërtuesit do t’i marrin këstet e para të parave javën e ardhshme. Premtimi vjen nga ministri i Financave, i cili konfirmoi shumat që do të lëvrohen brenda këtij muaji. Ministri pranoi situatën e vështirë të krijuar në tre muajt e fundit mes ndërtuesve dhe MPPTT-së, sa i takon shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, të shkaktuara nga volumi i madh i punës, kryesisht gjatë fushatës elektorale. “Jemi duke pritur listën nga Ministria e Punëve Publike, në mënyrë që të derdhim shumat. Në total janë 45 milionë euro, ku 30 milionë do t’i japim javën që vjen, kurse pjesa e mbetur më vonë. Pra, në muajin mars do të përfundojë i gjithë problemi me ndërtuesit”,- tha ministri. Sa u takon firmave të ndërtimit, ato kishin paralajmëruar pezullim të punimeve deri në zgjidhjen e problemit. Në fakt ky ishte paralajmërimi zyrtar i shoqatës, por në realitet në shumë objekte ishin ndërprerë punimet, për shkak të mungesës së fondeve. Janë të paktën 35 firma ndërtimi që kanë hyrë në situatë të vështirë financiare, por qeveria pretendon të kundërtën. Mungesa e fondeve për të shlyer punët e bëra në projekte të ndryshme, kryesisht rrugë, po shkaktonte pasoja zinxhir në ekonomi, nga furnitorët e lëndës së parë e deri te punonjësit që nuk po merrnin pagat. Pas zgjidhjes së këtij problemi, qeveria duhet të përballet me projektet e reja, të cilat kërkojnë financime të mëdha. Plani i reduktimit të shpenzimeve me rreth 250 milionë dollarë do të prekë edhe investimet për këtë vit. MF-ja ka nisur negociatat me donatorët për të gjetur financime për tri projektet infrastrukturore Tepelenë-Berat, Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Arbrit. Të tria këto projekte vlerësohen nga qeveria në masën 630 milionë euro, ku gjysma do të financohet nga donatorët.
Kryeministri grek Papandreu, paralajmëron: “Kriza jonë, edhe te të tjerët”
“Problemet ekonomike të Greqisë mund të përhapen duke infektuar dhe vende të tjera”. Një fakt të tillë e ka bërë me dije kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, sipas të cilit Greqia nuk është e vetmja që ka probleme të tilla në një kohë krizë. Sipas tij, ky është një prej momenteve më të vështira të historisë bashkëkohore të Greqisë, porse ajo nuk duhet veçuar, pasi edhe vende të tjera kanë shumë probleme. Kreu i qeverisë Helene paralajmëroi për pasoja serioze nëse Greqisë i mohohet asistenca. Prandaj, përfundoi duke i bërë thirrje audiencës televizive që të mos tërhiqet nga ajo që dëgjon për të mos vizituar Greqinë, pasi sipas tij, ajo me gjithë problemet që ka, mbetet një vend i bukur dhe me vlera. Por nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka hedhur poshtë informacionet se do të ketë një paketë financiare në vlerë 20-25 milionë euro për të ndihmuar ekonominë greke. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Amadeu Altafaj, deklaroi se, “nuk ekziston ndonjë plan i tillë, pasi Greqia nuk ka kërkuar asnjë euro të vetme për të kapërcyer situatën e rëndë ekonomike ku gjendet”.
Rritet sërish çmimi i naftës në tregjet botërore
Çmimet e naftës kanë arritur të shënojnë nivelin më të lartë të tregtimit në 6 javë, në një kohë që monedha e përbashkët europiane ka vazhduar të mbivlerësohet ndaj dollarit amerikan. Në kursin e këmbimit, euro ka shënuar një rritje me 0.2 për qind, duke u këmbyer me 1.36 dollarë amerikan. Sipas ekspertëve në këtë rritje të çmimeve të naftës ka ndikuar edhe lajmi për ndërtimin e armëve nukleare të Iranit si dhe kërcënimet për grevë të punonjësve të rafinerive të naftës në Francë. Në tregun amerikan ari i zi arriti të kuotohet në 80.47 dollarë për fuçi, në një kohë që Brenti i Londrës arriti në 78 dollarë. Një dollar i dobët bën që nafta të jetë më e lirë për ata që blejnë në monedha të tjera. Rritje të çmimeve të tregtimit në bursat ndërkombëtare kanë shënuar edhe benzina e gazi. Javën që lamë pas, çmimi i tregtimit shënoi një rritje me rreth 12 për qind.
23 Shkurt 2010