Nisin punimet për HEC-in në Sasaj-Bunec
>Bregdetit të njohur për vlerat e tij turistike dhe resurset e rëndësishme natyrore, do ti shtohet edhe një vepër e re energjetike , hidrocentrali lokal me fuqi të instaluar 8 megavat. Dje, në kthesën e rrugës nacionale Sarande-Bregdet, janë transportuar edhe pajisjet e fundit të ngritjes se kantierit në afërsi të fshatit Sasaj, duke shënur kështu fillimin e punimeve në ketë vepër energjetike.
Hidrocentrali me ndikim të madh në ekonominë e rajonit bregdetar, do të ndërtohet nga kompania "Energosas, e përbërë nga disa investitorë. Projekti tashmë është gati për t'u konkretizuar në terren. Vepra hidroenergjetike shfrytëzon shumë mirë energjinë ujore që përcillet nga lumi i Kalasë, i cili kalon në veprën ekzistuese të ndërtuar në vitet 80, të tunelit të Sasajt drejt kanalit të ndërtuar për ujitjen e plantacioneve të bregdetit dhe që tani do të shfrytëzohet për vënien në lëvizje të turbinave të instaluara 400 m larg detit në brendësi të territorit në vendin e quajtur Bunec. "Hidrocentrali i Sasaj është një hidorcentral me deviacion, me fuqi 8 mega, ku shfrytëzohet shumë mirë vepra e marrjes, kanali dhe tuneli që përshkon me tunel gjithë malin e Sasajt dhe del në afërsi të këtij fshati. Vazhdon rreth 3 km dhe zbret, duke kaluar kreshtave të kodrave në Bunec. Do të jetë një objekt i mbledhur nga pikëpamja e shtrirjes dhe parashikohet të ketë ndikim pozitiv ekonomik në zonën e bregdetit. Në fund të vitit parashikohet të vihet në shfrytëzim", ka bërë të ditur Stefan Qoku, inxhinieri i veprës së posanisur. Ndërsa investitori Vasil Gjika vlerësoi se ky investim zë një sipërfaqe modeste. "Tani jemi në procesin e fillimit të punimeve dhe paralelisht jemi duke nxjerrë lejet përkatëse për të gjitha nënveprat që do të realizohen në përbërje të hidrocentralit .Në harkun e një viti kohor vepra do të ketë kryer testet, pra të realizohet montimi e të fillojë prodhimi i energjisë elektrike, ka theksuar Gjika. Kohë më parë, Komuna e Lukovës dhe pronarët e këtij fshati kanë kundërshtuar ngritjen e një hidrocentrali të tillë në fshatin Lukove, pasi projekti i shpallur kohë më parë nga një tjetër firmë ndërtuese për të shfrytëzuar pjerrësinë e shpateve dhe ujin e Sasajt e kalonte ujin në pronat e banorëve, duke zvogëluar dhe dëmtuar ndjeshëm tokat bujqësore të banorëve të Lukovës, të cilët nuk ishin dakord me ndërtimin e veprës energjetike. Vepra e re ka eliminuar qysh në projekt, mangësitë e projektit të mëparshëm dhe ka siguruar kështu mbështetjen e banorëve dhe të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Pas një viti, hidrocentrali i Sasajt parashikohet të inagurohet, duke normalizuar problemet e furnizimit me energji elektrike të rajonit, si dhe duke sjellë mosndërprerje të energjisë për sezonin e turizmit në vitin e ardhshëm .