E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria Komb ta tru!?

>Nga *Ali ELTARI
Po përgatitet një "brez pa tru"  
Më e tmerrshme qëndron tek e ardhmja. Për fat të keq, në Shqipëri po përgatitet brezi i ri pa tru, që kënaqet duke e kaluar kohën me kotësira. Kur të rriten do të bëhen shërbëtorë të bindur, njerëz që do të drejtohen nga ata që u kanë marrë pronarët e tyre, të cilët do t'i kërcënojnë për t'i flakur në rrugë nëse nuk do të jenë të heshtur "pa gojë e pa vesh", siç u thoshin atyre që u shërbenin "elitës" së komunizmit në "Bllokun" e tyre. Sigurisht ju do të donit të sqaroheshit për këtë që lexuat më sipër. Duhet të pranojmë që e ardhmja e kombi, apo e thënë më saktë, ashtu siç është shkolla sot do të jetë kombi ynë nesër. E, në ç'gjendje është shkolla? Ndërtesat e shkollave në Tiranë dhe disa qytete të mëdha, nuk lënë vend për kritika, por nëse ju çon rruga në shkolla të thella, larg rrugëve të shtruara me asfalt, do të habitemi për gjendjen e rëndë në të cilën bëhet mësimi. Nga mjediset mund të kuptohet edhe përqendrimi i nxënësve ndaj shpjegimit të mësuesit. Por edhe i vet mësuesit ndaj gjendjes së tij shpirtërore dhe pakënaqësisë për të dhënë mësim në kushte dhe pret të largohet sa më parë. Edhe tekstet e përgatitura për ta janë të shkruara nga njerëz, që mund të jenë shumë të përgatitur dhe me njohuri të thella në fushën shkencore, por janë të pa aftë t'i paraqesin drejt për disa arsye. Së pari ata mund të mos kenë dhënë kurrë mësim në ato klasa për të cilin përgatisin tekstin mësimor dhe si të tillë nuk dinë çfarë dijeni kanë fituar fëmijët deri në atë kohë. Ai nuk njeh fjalorin e tyre dhe as aftësinë për të kapur ato të dhëna për të cilën shkruan. Nuk janë të pakta rastet kur ndonjë pedagog universiteti përgatit tekstin shkollor për shkollat 9 vjeçare duke hequr nga leksionet e tij universitare vetëm disa paragrafë dhe i quan ato të përshtatshme për nxënësit e shkollave nëntëvjeçare. Kështu në tekstin e tij mbeten fraza pa lidhjet e domosdoshme mes tyre. Edhe fjalët e huaja, të vendosura vend e pa vend e vështirësojnë së tepërmi të kuptuarit e mësimit. Ngaqë nuk e dinë mirë gjuhën shqipe po zëvendësohen me të huaja, kur tingëllojnë shumë më mirë në atë amtare. Për më tepër, nëse thellohemi, pjesa e madhe e atyre fjalëve të huaja nuk janë gjë tjetër veçse fjalë të lashta shqipe të deformuara në shekuj nga ata popuj, që janë larguar në parahistori nga trualli ynë. Janë këto shkaqe që mësimet në shkollat tona bëhen artificialisht të vështira dhe me terma të pakuptueshme.
 "Fletore pune", "libra dhe revista të përzgjedhura" sipas leverdisë së drejtuesve të arsimit
     Shkak tjetër që nuk mund të anashkalohet është etja për para e punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Kjo është vërejtur te futja e libërthave që u emërtuan "Fletore pune". Ato nuk janë gjë tjetër veçse pyetjet për rifreskimin e lëndës, që dikur vendoseshin në fund të çdo pjesë mësimore. Atyre u kanë shtuar edhe disa të tjera dhe i kanë nxjerrë në një libërth të veçantë, për të paguar prindërit dhe ca para më shumë... disa vite më parë ato ndaheshin me rregull të caktuar, duke shitur secilit nxënës nga një në çdo javë. Dikujt i binte radha të shitej edhe në fund të vitit... Kjo i shtyu t'i fusnin më vonë në listën e librave dhe i detyronin të bliheshin bashkë me to. Për të fituar para i detyroheshin mësuesit t'i shisnin me çdo kusht, sepse "u duheshin nxënësve". Më e keqja ishte, se, jo pak prej librave shkollorë, nuk i sqaronin çështjet për të cilat flitej, duke mos u dhënë zgjidhje. Atë që nuk kuptohej në librin shkollor, e sqaronin në "Fletoren e punës"!!! Përse bëhej kjo? Sigurisht të shiteshin "Fletoret e punës" të cilat ishin të shtrenjta dhe fitonin të gjithë, nga ministri e deri te fletoreshkruesit. Raste të tilla ka pasur shumë. Çudia qëndronte se këtë gjë e dinin edhe punonjësit e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, por asnjeri nuk e ngriti zërin. Pse? Sepse tjetri mund t'i nxirrte në shesh marifetet e tija dhe sepse në to duhet të ketë pasur pjesë edhe vetë ministri, ndaj nuk mund të fliste. Përse atëherë ministri Pollo ulërinte, duke u marrë "erzin" njerëzve që përhapnin dije me thëniet që "mësuesit po kthehen në tregtarë", vetëm se ngrinin në krah libra, të mos mbeteshin fëmijët pa lexuar literaturë artistike, të shtonin kulturën e nxënësve të tyre? Me fjalët e tij fyese ndaj mësuesve ai u ka ulur vlerat atyre njerëzve të nderuar që përgatisin të ardhshme të ndritur të kombit, jo për të përgatitur skllevër për të ardhmen, siç lënë të nënkuptohen fjalët e këtij ministri, që tani është bërë zëvendës kryeministër. Në vargun e këtyre maniakëve që duan të fitojnë me çdo kusht para, në rrugë jo të ndershme, shtohen edhe disa drejtorë të Arsimit në qytete që botojnë marrëzira si "fletore notash" apo edhe "biografi" shkencëtarësh, kur nuk ka shkruar kurrë në jetën e tyre. Me ato paçavure, nuk ua shtojnë, përkundrazi, ua ulin vlerat atyre shkencëtarëve të mëdhenj. Këto "fletore pune", që janë shtesa të panevojshme për mësuesit punëtorë dhe të aftë, janë barrë e rëndë për shpatullat e fëmijëve, të cilëve u duhet të ngrenë peshat e rënda të librave dhe të rrinë deri në orët e vona të mbrëmjes të plotësojnë detyrat e tej ngarkuara të shkollës. Por, siç e thamë më sipër, edhe për xhepin e prindërve. Flitet shumë për përzgjedhje të librave më të mirë, që të lexojnë "sa më shumë" fëmijët. Dhe po pasurojnë bibliotekat e shkollave me "libra të rinj". Çfarë ndodhë në të vërtetë me to? Duhet të pranojmë që në tekstet shkollore nuk janë futur shkrimtarët më të aftë dhe as veprat më të zgjedhura. Ato janë vazhdim të teksteve letrare nga koha e komunizmit. Në të janë shtuar vetëm ndonjë autor të dënuar nga regjimi i mëparshëm. Ndërsa ata që i shërbyen me pasion dhe përulësi regjimi komunist vazhdojnë të mbeten më të zgjedhurit, madje edhe veprat e diskutueshme të kryeinkuizitorit Ismail Kadaresë, ku tek-tuk ka edhe fraza banale, për t'u bërë gjoja popullor. Veprat "artistike" të tij vazhdojnë ende të përmbysin tekstet letrare të shkollave. Duhet të pranohet se në anketat e fshehta që bëheshin në atë kohë, jo rrallë kanë dalë autorë të tjerë më të pëlqyer, të cilët nga "kritikat" e thëna "shkarazi" nga ky i pëlqyeri i sferës më të lartë komuniste, ata janë flakur nga tekstet shkollore të asaj kohë. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite, ndonëse disa kanë botuar edhe vepra më të arrira, mbeten figura të harruara. Edhe më keq veprohet me autor 137 të rinj, por edhe të sprovuar, që çojnë libra në "Komisionin" e ngritur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, për të përcaktuar ato që u rekomandohen shkollave për lexime jashtë klase. Nuk mund të thuhen se grupi i punës nuk është në gjendje të vlerësojë drejt, ndonëse vlerësimet nuk behën saktë. Kjo lë të kuptohet se ashtu si për leximet jashtë shkollore, dhe në "pasurimin e bibliotekave të shkollave" futen autorë shumë të dobët, militant partie. Kjo sjellë neverinë e nxënësve për të lexuar libra jashtë shkollor. E çuditshmja është edhe se  autorëve të tjerë mund t'i futet ndonjë libër në listën e tmerrshme, nëse ai ka përgatitur ndonjë libër edhe më të suksesshëm, "komisioni" jo vetëm që nuk e miraton, por as që tregon interes për librin e ri. A mund të pranohet shpjegimi se ky autor, ndonëse "komisioni" i ka futur një libër, ai nuk e ka lyer qerren, prandaj nuk meriton t'i futet libri i dytë!!! Kanë të drejtë këta njerëz që flasin kështu, apo ja futin kot?!... Ka dhe më keq. Jo shumë ditë më parë një drejtor shkolle në Tiranë thotë, se nuk lexon listën që boton Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, por atë që i dërgon Drejtoria e Arsimit të Tiranës, se ai e pushon nga puna. Ai zbuloi një të fshehtë, që me sa duket praktikohet në të gjitha Drejtoritë e Arsimit në rrethe. Pra edhe se lista e librave botohet në shtyp, për leximin e librave artistik në shkolla nuk shkojnë udhëzime të posaçme të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, por nga Drejtoritë e rretheve. Kjo bën të mënjanohen leximi i librave të autorëve serioz, por të lexohen vetëm ato të diletantëve të partive në fuqi, shkrimtarë që janë në sprovat e para dhe ndofta me aftësi tepër të kufizuara. Duhet të pranojmë edhe se tekstet shkollore, pa llogaritur të metat që renditëm dhe ato që nuk i përmendëm, nuk japin kurrsesi të gjitha njohurit që kanë nevojë të mësojnë nxënësit, aq më tepër që tekstet shkollore edhe po të ishin të përsosura, nuk mund të lidheshin me të sotmen, për arsye se në to jepet shkenca fondamentale. Por ashtu siç ecën jeta, ecën edhe shkenca dhe shtohen njohuritë. E parë në këtë këndvështrim është e domosdoshme që fëmijëve t'u sigurohen materiale shtesë të kohës. Një gjë të tillë është e vështirë ta sigurojë Ministria e Arsimit dhe të Shkencës. Para disa vjetësh ajo kishte revistën e saj, por atë e konkurruan revistat private dhe ajo u mbyll përfundimisht. Aty nga fundi i viteve '90, iu këshilluan nxënësve të shkollave thuajse 30 revista. Nxënësit dhe prindërit, duke parë vlerat e tyre, blinin ato që u plotësonin më së miri nevojat për shtimin e njohurive. Kështu, pak e nga pak numri i tyre u zvogëlua nga që jo të gjitha ishin në gjendje të vazhdonin konkurrencën, ndonëse edhe kjo nuk ishte shumë e ndershme. Tani numri i tyre ka mbetur dy apo tre. Kuptohet kanë mbetur më të mirat. Por edhe ato rrezikohen të mbyllen. Arsyeja është jo se nuk kërkohen nga lexuesit, por kërcënohen nga Drejtoritë e Arsimit dhe të Shkencës. Ua ndalojnë të abonohen në shkolla dhe as të shiten në shkollë, siç veprohet praktikisht (jo teorikisht) me librat dhe "fletoret e punës". Një fjalë e vjetër thotë: " I zoti do, tellallit s'do". Armiqtë më të mëdhenj të pasurimit të kulturës së fëmijëve janë ata të drejtorisë Arsimore të Tiranës. Përse mbahet qëndrim kaq i skajshëm ndaj revistave, sidomos atyre që plotësojnë më së miri njohuritë e nxënësve dhe ndihmojnë në përvetësimin e mësimeve? E vetmja arsye bindëse është sepse ata nuk marrim nga botuesit asnjë qindarkë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që Drejtori i Arsimit të Korçës lejon revista më të dobëta dhe nuk lejon më të mira.
Në Drejtorinë e Tiranës kërcënohen mësuesit për t'i flakur në rrugë nëse u sigurojnë fëmijëve materiale plotësuese. Madje, edhe për ato libra që rekomandohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës i detyrojnë të mos u tregojnë në cilën librari mund ta blejnë. Kjo gjoja për t'i ruajtur nga "korrupsioni"! Medet, na mbytën tartufët... Kur u thuhet të bëhen abonime, në mënyrë që nxënësit, që duan të marrin më shumë kulturë, të mund t'i sigurojnë rregullisht materialet e nevojshme shtesë, që do t'u tregojnë vlerat e tyre mësuesit, i ndalojnë të bëjnë një gjë të tillë. Kur kjo është e "jashtëligjshme" përse ngulet këmbë të abonohet në revistën "Nacional Gjeografi"? Përse ky pronar "i fuqishëm" i çon mësuesit në hotelet luksoze të Malit të Zi, që të detyrojë nxënësit e tyre të abonohen? Kush fshihej pas kësaj reviste? Përse ata nuk dalin hapur dhe kanë frikë të hyjnë në konkurrencë në mënyrë të barabartë me revistat e tjera? Mbas kësaj reviste nuk qëndron aspak një botues i pasionuar dhe i plotësuar me kulturën e duhur profesionale, por dikush, ndonjë ministër a dikush tjetër me poste në qeveri, që e gënjeu mendja se do të shtonte me shpejtësi pasurinë e tij me anë të revistës "Nacional Gjeografi". Por doli bllof qyqari!... Pasi harxhoi goxha para, kuptohet ato nuk ishin para të nxjerra me gjak e djersë siç veprojnë botuesit e zakonshëm, por ndonjë "boss", që i ka siguruar parat me militantizëm partiak. Ndryshe nuk do ta vazhdonte për një vit resht të hynte në konkurrencën e pa ndershme me revistën e tij të dështuar, duke i bërë edhe reklamë të jashtëzakonshme në mediat televizive, por do të tërhiqej menjëherë sapo të shihte që ishte i dështuar. Sido qoftë ai, cilido që të jetë, e ka kuptuar se sa e vështirë është të përgatisësh sot revistë të suksesshme dhe të mund të vazhdosh atë në vite. Duhet të pranojmë se botimi i një reviste është punë jo e lehtë. Ajo kërkon vërtetësi artistike dhe fakte të besuara, por edhe të vlefshme për lexuesit, aq më tepër për të vegjlit. Dhënia e njohurive kërkon mjeshtëri të lartë dhe përkushtim. Është kjo arsye që dështuan shumë botues, të cilët deri në një farë mënyrë kishin përvojë në botime, me gjithë atë nuk mundën të vazhdojnë garën. Veç kësaj është edhe gjendja e traumatizuar e mësuesve të tmerruar, që janë kthyer gjoja në "tregtarë", sipas fantazisë së zotit Pollo, ndonëse tregtare të vërtetë janë politikanët "profesionistë", që pasi grinden me shefat e tyre, janë bërë aq të pasur, sa krijojnë parti të reja me paratë e fituar në rrugë jo të ndershme... Ndërsa mësuesit, ndonëse janë lavdia e kombit, se përpiqen me shumë vështirësi të rrisin brez të rinj me ideale të mëdha dhe jo t'i ndrydhim e t'i lënë injorantë, siç kërkojnë këta politikanë, që po e varfërojnë vendin jo vetëm ekonomikisht, por edhe  intelektualisht, por bëjnë të pamundurën të zgjojnë dhe të fuqizojnë trurin e kombit. Asnjë popull nuk mund të eci përpara pa pararojën e saj, shtresën e intelektualëve, që është truri i kombit. Askush nuk mund të ndikojë në zhvillimin e shpejt të vendit pa korifenjtë real të kulturës dhe shkencës. Shteti duhet të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të brezit të ri, jo të vrasi talentet dhe ta lejë kombin pa njerëzit e tij me njohuri të thella shkencore dhe teknike, që do t'i japë shtytje të shpejt kulturës, shkencës dhe teknologjive. Pa këta njerëz të ditur, që do ta ngrenë kombin në lartësitë e mëdha të kohës, atdheu ynë do të vazhdojë të mbetet, ashtu siç është për fat të keq edhe në ditët tona, populli më pak i zhvilluar ndërmjet fqinjëve tanë. Të dali nga ky qorrsokak, kombit tonë i duhet të shtojë përpjekjet për edukimin të fuqishëm shkollorë në të gjitha shkallët dhe në të gjithë vendin. Diplomat duhet të jenë të nivelit të lartë, të barabarta me ato më të mirat e botës dhe jo për të nxjerrë deputet batakçi, që e kanë futur Shqipërinë në rrugë pa krye. Duhet të pajiset brezi ynë e ri me njohuri të thella bashkëkohore kulturore dhe shkencore. Këto nuk mund të arrihen kurrsesi duke botuar libra shkollor të hartuara keq, nga njerëz që nuk kanë aftësi të shkruajnë. Por edhe të shpërndahen materialet plotësuese si librat artistik, gazeta e revista të cilësisë më të lartë, që plotësojnë më mirë dijet e tyre me materiale të reja, të zgjedhura nëpërmjet konkurrencës së ndershme, duke bërë abonime të rregullta në to dhe të gjenden mënyrat më të mira, më të shpejta, që ato të shkojnë direkt te fëmijët. Kjo gjë do t'i largojnë të vegjlit nga lojërat e kota e të pafundme, me të cilat kalojnë kohën çdo ditë, shumë nga ato edhe në internete, por do ta shfrytëzojnë më së miri kohën në pasurimin e dijeve të tyre.
 Nuk i humbim shpresat pë zhvillim e përparim
Janë këto rrugët, që do ta bëjnë kombin tonë t'i zhvillojë drejt aftësitë e tij dhe të krahasohet me popujt fqinjë e me kalimin e viteve të kërkojë të arrijë më të mirët. E pse jo edhe të qëndrojë në krye të kombeve më të zhvilluara të botës, siç tregon historia, që kanë qenë në lashtësi të parët tanë, nga koha kur quheshin pellazgë. Aftësia inteligjente shqiptare nuk mungojnë. Edhe në kohën kur nuk kishim shtet kemi nxjerrë figura të mëdha. Tani që kemi shteti pa konture të qarta mundësitë janë edhe më të mëdha, derisa të krijojmë shtetin e vërtetë, të domosdoshëm për kombin, të zhvillojmë dhe të përsosim qytetërimin shqiptar. Për t'ia arritur kësaj duhet vullnet, pastërti veprimi dhe udhëheqje që të pasqyrojë shembullin e kryeministrit të dikurshëm shqiptar Sulejman Delvinës. Ai, duke parë se arka e shtetit ishte bosh, i shiti pronat e tij dhe të gjitha paratë i futi në Bankën e Shqipërisë. Kur vdiq, me ceremonitë e varrimit u mor paria e Vlorës, e cila i bëri të gjitha nderimet që i takonin atij patriotit të madh. Vetëm me njerëz të tillë Shqipëria do të njohë ngritje dhe nderimin e kombeve të tjera. Dhe kombi ynë do të ketë trurin, i cili do të punojë ngrejë vendin në lartësitë e mëdha të kohës, ashtu siç ndodhi në kohën kur quheshim pellazgë.
 
 *Anëtar i Akademisë së Shkencave të Ballkanit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›