Nisin sot procedurat për presidentin e ri, pas një jave votimi i parë
Jo më shumë se shtatë ditë nga dita e sotme pritet të bëhet votimi për presidentin e ri. PD mbledh sot kryesinë për të mandatuar Berishën për negociata. Fatos Nano është zhdukur, ndërkohë që PD thotë se LSI ka një marrëveshje me ta për të zgjedhur presidentin e ri. PS thotë se nuk do e kushtëzojë zgjedhjen e presidentit me reformën zgjedhore
Sot pritet të nisin procedurat për përzgjedhjen e presidentit të ri. Gara mund të mbyllet për një javë, por edhe mund të zgjasë plot pesë javë në vazhdim. Nis kështu një muaj i ankthshëm për politikën shqiptare.
Bazuar në nenet 87 dhe 88 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe nenit 109 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli thërret Konferencën e Kryetarëve të mblidhet nesër, e enjte dt. 24.05.2012, ora 09:00, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkohë opozita duket se nuk ka ndërmend të kushtëzojë votimin e saj për presidentin me reformën zgjedhore, edhe pse kjo e fundit nuk ka përfunduar akoma. Vetë kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi e konfirmoi një fakt të tillë në emisionin Fakt.
Nesër në mbrëmje Partia Demokratike do mbledhë kryesinë e saj pas shumë kohësh, për të mandatuar kryetarin e saj, Sali Berisha, për të negociuar për presidentin e ri.
Vetë Berisha ka thënë se do të paraqesë një kandidaturë të djathtë, që me shumë gjasë do jetë një drejtues i lartë i partisë. Deri më tani emri më i përfolur ka qenë ai i Jozefina Topalli. Ndërkohë Berisha e ka ftuar opozitën që të paraqesë edhe ajo një emër. Kjo e fundit në fakt nuk ka prezantuar asnjë emër. Vetëm një person nga e majta është vetëshpallur si kandidat. Bëhet fjalë për Fatos Nanon, i cili është zhdukur në fakt nga qarkullimi prej disa ditësh. Pas takimeve intensive, Nano nuk ka dalë më në media.
Interesant do jetë roli që do ketë LSI në zgjedhjen e presidentit të ri. PD ia ka bërë të qartë LSI se në vitin 2009 në marrëveshjen për qeverisjen ka pasur edhe një pikë që flet për presidentin. Nuk dihet se çfarë përmban kjo marrëveshje, por PD flet për votat e LSI në favor të kandidatit të djathtë. Kurse LSI thotë se vendit i duhet një president konsensual, që nuk i përket ndonjë partie, por pa e thënë prerë si PS se presidenti nuk duhet ti përkasë PD. Madje ky është kushti i PS.
Ndërkombëtarët nga ana e tyre e kanë lënë këtë situatë në dorë të shqiptarëve, duke u thënë se ky është një test për të matur pjekurinë demokratike. Vetë PD ka një arrogancë në bindjen e saj se do e zgjedhë presidentin nga radhët e saj. Deri më tani flitet për një rezultat 70-70 mes deputetëve, siç raporton respublica.al. Por deri javën tjetër kur pritet të bëhet votimi i parë, do rrjedhin shumë ujëra.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë sinjal për një tryezë mes partive ose për një takim mes dy liderëve kryesorë. Rama nga ana e tij ka takuar drejtues partish në takime dypalëshe, ndërkohë që mendohet se edhe Berisha do veprojë fillimisht kështu.
Tensioni gjithsesi mbetet i lartë për shkak se një dështim mund të çojë në zgjedhje të parakohshme. Berisha mund ti përdorë ato për kërcënim, duke menduar se edhe do përfitojë nga një gjë e tillë. Po ashtu janë shtuar ndjeshëm edhe zërat se PS e LSI mund të bashkëpunojnë për rrëzimin e Berishës.
Skena është komplikuar, por nuk mungojnë gjasat që problemi të zgjidhet në mënyrë berisheske, me një votim pa moral politik, por që do prodhojë një president të PD dhe do shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Neni 87
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.
Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
Neni 88
1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
2/1.Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit..