E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, zë i Kosovës gjatë kryesimit të KE

Shqipëria ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Evropës. Duke marrë këtë detyrë nga kryesuesi i deritashëm, ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilljam Hejg, kryediplomati i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto është zotuar se do të punojë për një rol më të fuqishëm të Kosovës gjatë kryesimit gjashtëmujor të këtij mekanizmi.

Ai ka paraqitur edhe prioritetet, që do të kenë fokus në diversitetin, demokracinë dhe reformat e vazhdueshme të Gjykatës për të drejtat Njeriut.

Hejg ndërkaq ka thënë se Britania ka qenë vendi më aktiv në botë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë dhe është krenar që janë bërë reformat e gjykatës gjatë presidencës së saj.

Ai ka thënë se Britania e Madhe e ka njohur Kosovën dhe pret që të ketë përfshirje më të madhe të saj në fushën ndërkombëtare.

Tridhjetetre nga 47 shtetet anëtare e njohin Kosovën derisa Komisioni i Ministrave i Këshillit të Evropës po shqyrton rrugët për fuqizimin e vlerave të këtij organizmi atje.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagldan ka thënë se pret që të shohë mbylljen e hendeqeve të të drejtave të njeriut në Evropë gjatë presidencës së Shqipërisë.

Korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit si dhe sulmet ndaj lirisë së shprehejes dhe minoriteteve ende shihen si probleme, derisa Këshilli i Evropës ende nuk është i pranishëm në zonat e trazuara si në Bjellorusi, duke lënë një vrimë të zezë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. (Rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›