E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin të dalin bilancet e para financiare

Biznesi, 400 mijë euro dëme nga shpërthimi. Kompanite e sigurimeve ne veshtiresi per te shlyer pasojat e katastrofes qe ka edhe nje fature te larte financiare

Ja ku mbërrin vlera e parë monetare e dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi i depove të municioneve në fshatin Gërdec. Konkretisht, kompania e sigurimeve “Interabanian - Aspis Group” është njoftuar nga të paktën 20 klientë për dëme të konsiderueshme në bizneset e tyre, për shkak të shpërthimit të Gërdecit. Nga një vlerësim paraprak, humbjet e këtyre bizneseve llogariten në rreth 400 000 euro, apo rreth 504 milionë lekë të vjetra. Duke marrë në konsideratë rrethanat e kësaj ngjarjeje sa unike, aq dhe të rëndë, kompania e sigurimeve “Interalbanian - Aspis Group” ka vendosur të paguajë këto dëme brenda një periudhe të shkurtër. “Për këtë ne kemi kontaktuar me të gjithë klientët dhe po punojmë me shpejtësi për të bërë vlerësimet përfundimtare për çdo biznes të dëmtuar. Ky vendim tregon edhe një herë seriozitetin e kompanisë “Interalbanian - Aspis Group”, për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të klientëve edhe në një rrethanë të tillë shumë të veçantë, kur përmasat e dëmeve i ngjajnë një katastrofe. I garantojmë të gjithë klientët tanë, se pagesat prej rreth 400 000 eurosh që do të kryhen në ditët e ardhshme, nuk do të cenojë gjendjen financiare të kompanisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj kompanie. Kompania e sigurimeve “Interalbanian - Aspis Group” gjithashtu ka vendosur të dhurojë 30 000 euro për të zbutur sadopak dhimbjet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›