Starova: Unë ministër i mbrojtjes

Arian Starova
Deputeti Arian Starova thote se do ta pranonte kete post nese do t'ia ofronin pas doreheqjes se Fatmir Mediut
Shqipëria nuk rrezikon ftesën për në NATO pas ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë në Gërdec dhe dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes. Ky konstatim vjen nga deputeti Arian Starova, i cili prej vitesh merret me problemet e sigurisë së NATO-s dhe drejton Këshillin Atlantik të Shqipërisë. Starova pranon se anëtarësimi në NATO ka një kosto për vendin, por kjo kosto do të jetë e njëjtë me atë se secili prej nesh paguan pranë agjencive të sigurimit për problemet e sigurisë së tyre. Duke biseduar për reformën zgjedhore, Starova thotë se për liberal-demokratët do të ishte më mirë nëse do të bëheshin vetëm disa korrigjime. Sipas tij, pragu elektoral duhet të jetë 3 për qind, ndërsa numri i deputetëve 120, ku 70 prej tyre të dalin nga mazhoritari, ndërsa 50 nga proporcionali. Ndërkohë, ai propozon që numërimi i votave të bëhet në mënyrë elektronike, nga makineritë dhe jo nga individët. -A rrezikohemi për të mos marrë ftesën për anëtarësimin në NATO pas ngjarjes së Gërdecit? Arian Starova: “Ka të paktën rreth dy javë që e kam parë si krejt të sigurt marrjen e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO, për shkak të shumë treguesve dhe vlerësimeve thuajse të hapur nga ndërkombëtarët. Pas ngjarjes së Gërdecit, mendoj se kjo ftesë për në NATO mbetet aq e sigurt, saç është e madhe mundësia që pas kësaj ngjarjeje të mos fshihet asnjë çështje korruptive qeveritare. Megjithatë, çka është shumë më e rëndësishme sesa ajo që ndodhi apo u zbulua në Gërdec, mbetet kundërveprimi qeveritar ndaj ngjarjes tragjike të Gërdecit dhe këtu mund të thuhen shumë vlerësime pozitive për veprimet e qeverisë. Masat e suksesshme të qeverisë janë tregues i aftësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe i meritimit të ftesës për në NATO”. -Si ndikon dorëheqja e Mediut përpara samtit të NATO-s? “Sigurisht që nuk ndikon aspak për keq, sepse është e njohur që dorëheqjet janë veprim i zakonshëm i qeverive të vendeve demokratike. Vlerësimi për marrjen e ftesës nuk bëhet për një njeri të veçantë, siç është ministri i Mbrojtjes, cilido qoftë ai, por për përparimin e vendit në lidhje me standardet e përcaktuar nga vetë NATO-ja. Nëse Shqipëria është vlerësuar se e meriton ftesën për në NATO, dorëheqja e ministrit nuk mund ta pengojë marrjen e saj. Puna për shkatërrimin e municioneve është shumë e vështirë dhe ngjarje të tilla kanë ndodhur e do të ndodhin edhe në vende të tjerë të botës”. -E shihni veten si kandidat të mundshëm për postin e ministrit të Mbrojtjes? Do ta pranonit nëse do të kishit ftesë? Ndoshta me një riformatim qeverie, meqë liberal-demokratët tuaj kanë postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes. “Përderisa jam marrë për shumë vjet me problemet e sigurisë e të NATO-s, është e natyrshme që të them se mund të bëj pjesë në grupin e njerëzve të koalicionit qeveritar që mund të drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes. Nëse mund të jem ose jo kandidaturë, kjo nuk më përket mua, por kryeministrit Berisha. Nëse do ta kisha një ftesë të tillë, do ta quaja për nder ta pranoja”. -Mendoni se mjafton dorëheqja e ministrit Mediu dhe arrestimi i 4 personave për të kompensuar fajësinë për ngjarjen e ndodhur? “Kjo çështje nuk ka të bëjë fare me “orekset ndëshkuese” të politikanëve, por me vetëdijen morale të drejtuesve dhe me institucionin e akuzës, ose prokurorinë. Këta të fundit e dinë se sa duhen arrestuar dhe ata nuk nisen nga nevojat e politikës për të kompensuar fajin, por nga provat konkrete të fajësisë së njerëzve përgjegjës. Ndërsa dorëheqja është veprim vetjak i gjithkujt e nuk mund të detyrohet nga jashtë”. -Nëse vendi ynë edhe këtë vit nuk e merr ftesën për në NATO, çfarë ndodh? Do të vazhdojmë sërish të punojmë, derisa ta marrim atë? “Edhe po ta marrim ftesën, puna për t’u përgatitur për NATO-n do të vazhdojë, sepse çështja e transformimit të forcave të armatosura të Shqipërisë është diçka që do të jetë e vazhdueshme, ashtu si vetë NATO-ja, e cila është në transformim të përhershëm. Nëse do të ndodhte që ftesa të mos merrej këtë vit, ajo do të merrej patjetër në Mbledhjen e Nivelit të Lartë të NATO-s të vitit tjetër, me rastin e 60-vjetorit të themelimit të NATO-s. Megjithatë, mundësitë që ftesa të merret në Bukuresht janë të shtuara edhe për shkak të gjendjes së sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. -Shqipëria mund të futet në NATO, por sa do ia dalë ajo që të plotësojë standardet dhe kërkesat, të cilat kanë një kosto të lartë? “Shpenzimet që duhet të përballojmë me anëtarësimin në NATO u përngjajnë shpenzimeve që bën secili prej nesh apo secila prej familjeve tona pranë agjencive të sigurimit për problemet e sigurisë së tyre. Pra, ato janë të domosdoshme, përderisa hyrja në NATO është gjykuar nga të gjithë shqiptarët si diçka e domosdoshme”. -Si e shihni reagimin e opozitës për sa i përket integrimit në NATO; po bashkëpunon me PD-në vetëm për hir të çështjeve madhore, si integrimi në NATO, apo ka edhe interesa të tjera? “Pa diskutim, opozita ka edhe interesat e zgjedhësve e mbështetësve të saj, prej të cilëve udhëhiqet në këtë bashkëpunim. Megjithatë, kryesore është se qysh në fillimet e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, të gjitha partitë politike kanë qenë të të njëjtit mendim për anëtarësimin në institucionet euroatlantike. Kjo është arsyeja, që mendoj se opozita po bashkëpunon hapur për çështjet madhore të integrimit euroatlantik”. -Si duken në optikën tuaj diskutimet për reformën zgjedhore? Si po veprohet me aleatët? “Deri tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap i shumë i qartë, përveç deklarimit të të dyja partive kryesore (PD e PS), se mbështetin sistemin proporcional rajonal të zgjedhjeve. Ende nuk ka artikulime të qarta për të gjitha hollësitë e këtij sistemi proporcional rajonal. Prandaj, këto hapa të reformës janë shumë të ngadaltë e duhen përshpejtuar. Nëse hollësitë teknike të këtij sistemi janë të tilla që u marrin frymën partive të vogla, atëherë ky sistem duhet braktisur, sepse në fund të fundit, më shumë se sa llojet e sistemit zgjedhor, ka rëndësi zbatimi i saktë i ligjit zgjedhor, pa mashtrime e manipulime të vullnetit të votuesve”. -Çfarë sistemi zgjedhor do të parapëlqenit ju dhe partia juaj? “Partia Bashkimi Liberal Demokrat do të parapëlqente sistemin e tanishëm, me fare pak ndryshime. Duhet që numri i deputetëve të jetë 120 deputetë, ku 70 deputetë të jenë të zgjedhur drejtpërdrejt dhe 50 deputetë të zgjedhur prej listave emërore të partive politike. Pragu elektoral të vendoset për të gjitha partitë 3 për qind. Pastaj mund të bëhen edhe korrigjime të tjera, si komisionet zgjedhore me 5 vetë dhe jopartiakë, zëvendësim i grupeve të numërimit me makina të posaçme elektronike që numërojnë e regjistrojnë fletët e votimit etj”.