E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia nxjerr kryet

Beogradi dorëzon planin e ndarjes së Kosovës. UNMIK-u refuzon

Pak nga pak, Beogradi po përpiqet të vërë në jetë planin e tij për ndarjen e Kosovës. Ashtu siç ishte paralajmëruar në fund të muajit shkurt, Serbia orkestroi trazirat e 17 marsit, me qëllimin për të krijuar tension dhe për të treguar se institucionet ndërkombëtare nuk janë të afta të vënë nën kontroll serbët e Kosovës. Kështu, Serbia ka ofruar të qeverisë zonat me shumicë serbe në Kosovë, një plan ky që do të shënonte efektivisht ndarjen e shtetit të ri. Lajmi u publikua dje nga agjencia prestigjioze “Rojters”, e cila citon burime diplomatike në Beograd. Sipas agjencisë, propozimi iu dorëzua pikërisht këtë fundjavë UNMIK-ut nga vetë ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, por u refuzua nga administratorët e Kombeve të Bashkuara. “Qëllimi i këtij propozimi duket të jetë ndarja e Kosovës, në mënyrë që Serbia të qeverisë enklavat serbe”, - tha një burim diplomatik për “Rojters”. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larri Rosin, konfirmoi dje, se Samarxhiç me të cilin u takua të dielën, i dorëzoi një dokument të përgatitur “si një strukturë për marrëdhënie të mirëkuptuara mes Serbisë dhe UNMIK-ut”. Por Rosin nuk dha detaje lidhur me përmbajtjen e këtij dokumenti. Lajmi për dorëzimin e këtij plani u konfirmua edhe nga vetë Ministria serbe për Kosovën, e cila deklaroi dje, se një marrëveshje me UNMIK-un është thelbësore, duke parë situatën e krijuar në 17 mars. Sekretari shtetëror në këtë ministri, Dushan Prokoroviç, tha se një marrëveshje e tillë është e nevojshme për të parandaluar transferimin e autoriteteve tek misioni i BE-së në Kosovë. Pa dhënë detaje të marrëveshjes që Samarxhiçi i dorëzoi Rosin, ai tha për të përditshmen serbe “Politika”, se kjo marrëveshje duhet t’u japë fund interpretimeve ambige të Rezolutës 1244. Sipas Prorokoviç, transferimi i kompetencave nga UNMIK-u tek “EULEX” përbën një dhunim të rezolutës. “Ne duhet të bashkëpunojmë me UNMIK-un për të vazhduar Rezolutën 1244”, - tha ai. Zyrtari i Ministrisë serbe për Kosovën tha se Serbia gëzon “autoritetet e saj legjitime” të përcaktuara nga Rezoluta 1244, si dhe nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2001 nga zëvendëskryeministri i atëhershëm, Nebojsha Çoviç dhe i dërguari i posaçëm i OKB-së, Hans Hakerup. Kjo marrëveshje promovonte mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të serbëve, duke përfshirë këtu edhe sovranitetin e integritetin e Republikës Federale të Jugosllavisë. Pjesë e dokumentit përfshinte dhe detyrimin e UNMIK-ut për të ndërtuar një sistem gjyqësor shumë etnik në Kosovë. U ra dakord që gjykatësit serbë dhe prokurorët duhej të dominonin në përgjithësi në bashkitë ku jetonte shumica serbe. Por marrëveshja “Çoviç-Hakerup” përbënte në vetvete një shkelje të Rezolutës 1244, për shkak se në të parashikohet se asnjë autoritet tjetër përveç zyrës juridike të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, nuk ka të drejtën të nënshkruajë një marrëveshje me ndonjë shtet tjetër, që në këtë rast ishte Serbia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›