E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nisma Globale”, Bill Klinton organizon takimin e përvitshëm

Ish presidenti amerikan Bill Klinton do të mbledhë së bashku krerët e shteteve, drejtues të industrisë dhe zyrtarë të organizatave jofitimprurëse dhe qeveritare këtë javë në takimin vjetor “Nisma Globale Klinton”.
 

Konferenca që fillon nesër në Nju Jork përkon me takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Takimi tre ditor i nivelit të lartë do të përqëndrohet në krijimin e vendeve të punës, konsumin e qëndrueshëm dhe programet për gratë dhe vajzat.

Bill Klinton tha se takimi do të përfshijë një diskutim të drejpërdrej me udhëheqësen birmaneze pro-demokracisë Aung San Suu Ki. Laureatja e çmimit Nobel do të diskutojë sfidat kritike globale si të drejtat e njeriut dhe pajtimet etnike. Udhëheqësja e opozitës u lirua nga qeveria birmaneze vitin e kaluar pasi kaloi 15 vjet në arrest shtëpie. Presidenti Barak Obama do të flasë të mërkurën në konferencë për konsumin e qëndrueshëm.
 

Që kur filloi iniciativa në vitin 2005, zoti Klinton tha se anëtarët e saj kanë bërë më shumë se 2 mijë premtime që kapin vlerën e 63 miliardë dollarëve dhe kanë përmirësuar jetët e më shumë se 300 milionë njerëzve në 180 vende të botës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›