E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma Olldashi: Do ulim 30 – 50 për qind aksidentet rrugore

08/02/2012  Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi u angazhua dje për uljen me 30 deri në 50 për qind të numrit të aksidenteve brenda dekadës. Pas një takimi me Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit (FIA) Jean Todt, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në vendin tonë, Olldashi tha se Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës rrugore përmes investimeve, apo përmes ndryshimeve në Kodin Rrugor si dhe përmes rritjes së financimeve për sinjalisikën rrugore. "Këto përpjekje synojnë uljen e numrit të aksidenteve rrugore në Shqipëri në mesataren e vendeve të zhvilluara, pasi jemi ende në shifra më të larta se kjo mesatare. E njoha z. Todt me objektivat e strategjisë për sigurinë rrugore që synon që brenda dekadës të reduktojmë numrin e aksidenteve rrugore 30-50 % . E gjithë kjo paketë që nis me investimet në infrastrukturë dhe përfundon me ndryshimet ligjore në Kodin Rrugor synon pikërisht reduktimin e aksidenteve", theksoi Olldashi. Jean Todt, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, ish drejtuesi i lartë i Ferrarit në Formula 1, tha se në vizitën e tij të parë në vendin tonë, po njihet me situatën e automobilizmit në Shqipëri. "Ka pasur shumë aksidente në të gjithë botën dhe ne jemi të shqetësuar për këtë. Ky është një problem shumë i madh, që duhet minimizuar", deklaroi ai. Jean Todt i dorëzoi ministrit Olldashi certifikatën e FIA-s, për rrugë të sigurta si dhe u përcolli një mesazh të qartë drejtuesve të mjeteve automobilistike në Shqipëri për shmangien e aksidenteve në rrugë. "Në mbështesim përmirësimin e sinjalistikës rrugore. Duhet të edukojmë njerëzit dhe të mbështesim qeverinë që të investojë në përmirësimin e cilësisë së rrugëve. Shpresoj që teknologjia më e avancuar e makinave të jetë e pranishme edhe në Shqipëri, sepse është e nevojshme të mos kemi mjete të vjetëruara në rrugë. Ndërsa drejtuesit e mjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e rregullave", tha Todt. Todt erdhi në Shqipëri për lançimin e Dekadës së Veprimit për Sigurinë Rrugore 2011-2020, e cila ka për qëllim kryesor shpëtimin e miliona jetëve në mbarë botën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›