E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti apel për ndihmë ndaj fëmijëve jetimë

22/12/2009  Eagle Mobile
Vëmendja e shtetit ndaj fëmijëve jetimë duhet dhe do të jetë më e madhe në të ardhmen. Sipas Presidentit të vendit, Bamir Topi, pas integrimit në Bashkimin Evropian ndihma për këta fëmijë do të jetë më konkrete. Deklaratën Presidenti Topi e ka bërë në një ceremoni të organizuar nga Eagle Mobile për fëmijët jetimë, përmbyllëse e aktivitetit bamirës të kompanisë telefonike për 2009. “Jo për shkak të atyre deklaratave politike që bëjnë politikanët, po për bindjen që ka çdo shqiptar dhe për bindjen që duhet të jetë më shume tek ju. Ju nesër shumë shpejt do të jeni qytetarë të një Shqipërie që është pjesë e BE-së ku dhe të drejtat e fëmijëve dhe të jetimëve do të jenë më të institucionalizuara”, - tha Presidenti Topi. 120 fëmijë jetimë janë argëtuar në një drekë artistiko-festive të organizuar nga kompania celulare Eagle Mobile dhe Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, theksoi se viti 2009 është viti i fëmijëve jetimë. Kjo kompani ndërmori iniciativën e dhënies së 20 bursave për studime të mesme dhe të larta për 20 fëmijë, por u bë shembull për 25 kompani të tjera që operojnë në Shqipëri duke bërë që edhe ata të japin mbështetjen e tyre sipas mënyrës dhe mundësive përkatëse. Presidenti i Çalik Holding për Ballkanin dhe Evropën Juglindore Orhan Xhoshkun theksoi se Grupi Çalik Holding ka pasur dhe ka në politikat e saj sociale ndihmën e këtij komuniteti. “Fëmijët janë e ardhmja dhe ne punojmë sot duke menduar për të ardhmen. Çalik Holdig i jep rëndësi të veçantë arsimimit, prandaj dhe politikat e kësaj kompanie e kanë caktuar si pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë sociale”, - tha Xhoshkun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›