E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma, ligj për hetimin e financimeve të futbollit

ZMQ e Prokurorët: Kuadri ligjor lë hapësira, pengon punën e Prokurorisë në fillimin dhe çuarjen në fund të ndjekjes penale
TIRANË- Pas dyshimit të "shitjes së flamurit" një tjetër lajm i hidhur vjen për futbollin shqiptar. Një grup trafikantësh në Itali, të arrestuar vetëm pak ditë më parë dyshohet të jenë financuesit e një prej ekipeve të superligës në futbollin tonë. Kanë qenë këto dy skandale, që kanë detyruar Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe shoqatën e Prokurorëvetë ndërmarrin një fushatë kundër fenomenit të këmbëve të papastra. Me anë të një deklaratë për shtyp lëshuar ditën e djeshme, ZMQ-ja dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve i kërkon Institucioneve të cilat kanë për detyrë bërjen e ligjëve të marrin masat e duhura për të krijuar ligje për të hetuar financimin e futbollit. "Në vendin tonë sporti i futbollit nuk i përket më dashamirësve të vet. Ky fakt më së miri provohet nga pamja e stadiumeve të zbrazura"- thuhej në deklaratën e lëshuar dje nga ZMQ, në kuadër të fushatës me moton "Këmbët e pastra në futbollin Shqiptar". "Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, duke u referuar në një seri faktesh të rënda të njohura për të gjithë, në denoncime të vazhdueshme publike e jo publike të bëra nga drejtues klubesh, gazetarë sportivë e deri edhe institucionesh prestigjioze ndërkombëtare, i bën thirrje Parlamentit Shqiptar dhe organeve të iniciativës ligjore për një ndërhyrje të shpejtë e të vendosur në përmirësimin e situatës, para se ajo të shkojë drejt kolapsit të plotë" thuhej më tej në deklaratë. Ligjet aktuale favorizojnë abuzimet në financimet e ekipeve të futbollit Shqiptar. Ndaj dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka kërkuar krijimin e ligjeve me qëllim që të lejohen hetimet në fushën e financimeve të futbollit. "Kuadri i tanishëm ligjor lë hapësira për abuzim dhe pengon punën e Prokurorisë në fillimin dhe çuarjen deri në fund të ndjekjes penale. Kuadrit ligjor i mungon koherenca, për mbrojtjen dhe rregullimin e marrëdhënieve juridike në mënyrë që shkelësit e ligjit të mos mbeten të pandëshkuar si nga ana administrative ashtu edhe ajo penale"shton ZMQ që sipas saj abuzimet në këtë fushë dhe rastet flagrante të korrupsionit mund të arrijnë vlerën prej disa miliona eurosh. Në deklaratën e ZMQ-së e cila sapo ka nisur fushatën për këmbët e pastra në futbollin Shqiptar, thuhej se heshtja dhe mosveprimi duket ka bërë që të "lulëzojë' korrupsioni i cili po shkatërron të gjitha vlerat pozitive që sporti edukon dhe për të cilat shoqëria shqiptare ka kaq shumë nevojë. "Për këtë arsye kemi zgjedhur të mos heshtim më. Përmirësimi i kuadrit ligjor në fushën e lotarive sportive do të ndihmonte për të shmangur përbaltjen e përfaqësuesve të sportit shqiptar të cilat njëkohësisht janë dhe simbole të kombit",- përfundoi deklaratën e saj Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve. Pak ditë më pare, policia Italiane çoi në pranga një grup trafikantësh të cilët financonin një ekip futbolli në Shqipëri. Me paratë e drogës paguheshin rrogat e lojtarëve, qiraja e fushës dhe mbuloheshin të gjitha shpenzimet e tjera të klubit të një ekipi futbolli në vendin tonë. Madje me paratë e drogës janë blerë edhe disa lojtarë. Të gjitha këto të dhëna u zbuluan pas arrestimit të dy personave të cilët ishin financuesit e ekipit. Ndërkohë që pak kohë më parë, kryeministri i vendit, Sali Berisha, akuzoi Federatën e Futbollit Shqiptar se ka shitur ndeshjet gjë e cila denigronte deri në "shitjen e flamurit kombëtar'.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›