Athinë, gjendet i vdekur 27-vjçari shqiptar
Sipas policisë, i riu u gjet pa jetë në banesën e tij nga të afërmit: Kishte goditje në kokë
Athinë-Një i ri shqiptar është gjetur pa jetë në banesën e tij në Athinë. Lajmi bëhet i ditur ngaagjencia shtetërore greke e lajmeve "ANA", e cila nuk bën të ditur identitetin e viktimës. Sipas të njëjtit burim, viktima është e seksit mashkull dhe është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në zonën Dau Pentelis të kryeqytetit grek, Athinës. "Nga policia është konfirmuar gjetja e viktimës, e seksit mashkull brenda banesës"- bën të ditur agjencia e lajmeve. Nga të dhënat e para që i referohen lajmit të keq për emigrantin, mësohet vetëm mosha e tij. "Viktima me kombësi shqiptare është 27-vjeç"- thonë burimet zyrtare të policisë lokale, që theksojnë njëherësh se për këtë ngjarje sapo kanë nisur hetimet. Ata që kanë njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur kanë qenë të afërm të viktimës, por edhe për këtë detaj nuk jepen të dhënat të tjera. Policia greke ka saktësuar për agjencinë e lajmeve se 27-vjeçari shqiptar është gjetur në banesë nga njerëz të tij, përcaktuar si të afërm. Nga grupi i ekspertëve që bëri këqyrjen e kufomës ka rezultuar se viktima ka pasur shenja goditjesh të forta në kokë. "Viktima është gjetur me goditje të forta në kokë, si pasojë e të cilave ka gjetur edhe vdekjen"- thonë burimet policore, duke shtuar se ende nuk është përcaktuar mjeti apo sendi i fortë me të cilin ai është goditur. Asnjë e dhënë për emrin, apo vendin e lindjes së 27-vjeçarit, e aq më tepër për ndonjë pistë të mundshme të vrasjes së tij. Të gjithë këto, sipas policisë greke janë pjesë e hetimit që sapo ka nisur e që do të vijojë edhe me dëshmitë e të afërmve, që kanë qenë të parët që kanë gjetur të vdekur e të mbytur në gjak 27-vjeçarin.