Niveli i gjuhës që kërkohet për studimet pasuniversitare
Për programet e ciklit të dytë, Master Profesional, do të kërkohet të arrihet Niveli B2 i anglishtes, që nënkupton kompetencë të mjaftueshme gjuhësore. Kurse për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave, dhe për studimet e ciklit të tretë nevojitet Niveli C1-kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore. Sipas Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët (KPREGJ), përshkrimi i Niveli B2 është: “Mund të kuptojë idetë kryesore të një teksti kompleks mbi çështje konkrete dhe abstrakte, duke përfshirë diskutime teknike në fushën e tij/saj të specializimit. Mund të bashkëveprojë rrjedhshëm dhe spontanisht me folës vendës pa vështirësi për të dyja palët. Mund të hartojë tekst të qartë, të detajuar rreth një sërë temash si dhe të shpjegojë pikëpamjet e tij/saj për një çështje të ditës, duke parashtruar avantazhet dhe disavantazhet për opsione të ndryshme”. Ndërsa Niveli C1: “Mund të kuptojë tekste më të gjata me një shkallë më të gjerë kërkesash dhe të kuptojë thënie të tërthorta. Mund të shprehet rrjedhshëm dhe spontanisht. Mund ta përdorë gjuhën në mënyrë elastike dhe efektive, për qëllime akademike, sociale dhe profesionale. Mund të hartojë një tekst të qartë, të mirëstrukturuar, të detajuar për tematika komplekse, duke mundësuar përdorim të qartë të organizimit të të menduarit dhe të të shprehurit”.