Studimet në Itali, zbardhen kuotat e pranimit
Ministria e Universiteteve në Itali publikon 25 mijë kuotat e vëna në dispozicion për studentët e huaj, gjatë vitit akademik 20011-2012. Megjithëse numri i kuotave të pranimit për studentët joitalianë është tepër i lartë, vetëm 3 mijë vende do të jenë për studentët shqiptarë. Për të vijuar studimet e larta në Itali, të rinjtë shqiptarë do t’u nënshtrohen kritereve të veçanta të vendosura nga pala italiane. Plot 61 universitete italiane do të hapin dyert gjatë vitit të ardhshëm akademik për studentët shqiptarë që do të aplikojnë për studime në Itali. Në universitetet italiane tashmë dihen edhe degët se ku ka më shumë kuota. Pjesa më e madhe i përket Ekonomisë, Inxhinierisë, ndjekur nga Shkencat Politike, të Komunikacionit dhe ato Gjuhësore. Ndërsa më pak kuota pranimi janë përcaktuar për Arkitekturën, Farmacinë dhe Juridikun. Në bazë të numrit të përgjithshëm të vendeve në dispozicion, Ministria e Punëve të Jashtme italiane, në bashkërendim me Ministrinë e Universiteteve dhe Ministrinë e Brendshme vendos një kuotë maksimale të vizave të hyrjes. Këto mund të lëshohen në përfaqësitë konsullore italiane gjatë afateve të vitit akademik, një kuotë që çdo vit parashikohet e madhe, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre kandidatëve që kalojnë me sukses testet dhe provimet paraprake të studiojnë në Itali, përkundrejt kushteve të vendosura tashmë. Sipas kushteve të vendosura, për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur universitetin në Itali, është e nevojshme të kalohen të katër provimet e Maturës, që janë të domosdoshëm për regjistrimin edhe në universitetet shqiptare. Ndërkaq, brenda këtij muaji, pritet të hapen
edhe procedurat e aplikimit për të paraqitur kërkesën e regjistrimit paraprak për në universitetet italiane. Këto procedura, si dhe afatet do të bëhen të ditura nga Ambasada Italiane në Tiranë, e cila për çdo vit publikon edhe udhëzimin e posaçëm “Për procedurat për regjistrimin në universitetet italiane nga ana e studentëve të huaj”. Kështu, të rinjtë që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane do të mund të tërheqin, pranë sportelit të Ambasadës, një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave.